Rama: Kalaja e Beratit, kurora që ruan shpirtin dhe historinë e qytetit

Berati, qytet unik i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara turistike në Shqipëri. I ngritur buzë lumit Osum rreth 2400 vjet më parë, ai tërheq mijëra vizitorë çdo vit.

Mbi kodrën që mbikëqyr qytetin, ngrihet Kalaja e Beratit, një fortesë madhështore që ende sot është e banuar dhe simbol i gjallë i trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Kalaja, duke e cilësuar atë si “shpirtin dhe krenarinë e qytetit”.

“Kalaja e Beratit, kurora mbi qytetin e një mbi një dritareve, që ruan kujtesën, shpirtin dhe krenarinë e një qyteti ku historia dhe kultura gërshetohen në çdo hap”, – u shpreh Rama.

Mbi qytetin antik të “Një mbi një dritareve”, qëndron si kurorë e shndritshme Kalaja e Beratit, një prej kalave më epike shqiptare, e njohur ndryshe edhe si “Fortesa e Arbërve”.

E ruajtur me fanatizëm, ajo është ndër të vetmet kala në Ballkan ku jeta gëlon ende sot. Gjurmët e historisë lexohen nëpër muret e kalasë, kishave dhe kullave që qëndrojnë si dëshmitare të heshtura të një epoke të shkuar.

Ky fortifikim i lashtë ka përjetuar luftra të shumta, por edhe periudha të begata zhvillimi dhe kulture. Që prej ilirëve e deri në ditët e sotme, bizantinë, sllavë, muzakaj, osmanë, pashallëku i Beratit, muret e saj dëshmojnë qendresën dhe përpjekjet për ruajtjen e atdheut dhe identitetit.

Kjo pasuri e testamentit kulturor shqiptar është një nga atraksionet më të rëndësishme të turizmit kombëtar.

Ruajtja dhe konservimi i çdo grimce kulture që këto mure rrethojnë është sfida e përbashkët.

Kalaja është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, e ndërtuar mbi një plan trekëndor dhe e vendosur në mënyrë të tillë që duket si pjesë natyrore e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është ndërtuar me blloqe guri të periudhës ilire, që datojnë në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur periferik dhe 24 kulla.

Brenda kalasë ndodhen rreth 14 kisha, të cilat dëshmojnë për rëndësinë fetare dhe kulturore të saj ndër shekuj. Ndër kishat më të njohura përmenden: Kisha e Shën Triadhës, e ndërtuar në fund të shekullit XIII dhe fillim të shekullit XIV, me afreske të pasura; Kisha e Shën Todrit; Kisha e Shën Kollit; Kisha e Shën Kostandinit dhe Shën Helenës; Kisha e Shën Mërisë Vllaherna, etj./ KultPlus.com

Read Previous

Një ajsberg i zi misterioz shihet në ujërat e Kanadasë