Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar të premten e 13 tetorit, ku pritet të ketë takim me homologun e tij Rishi Sunak.
Në fokus pritet të jetë çështja e emigrantëve dhe marrëveshja për të burgosurit që të kalojnë dënimin në Shqipëri.
Kujtojmë se në dhjetor të 2022, në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Britanisë, krerët qeveritarë të të dyja vendeve kanë firmosur një marrëveshje e cila përfshin tre fusha kryesore me interes të përbashkët.
Në marrëveshje nënvizohet dakordësia për çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme, rritjen ekonomike dhe investimet, si dhe inovacionin, rininë dhe arsimimin.
Deklarata vjen në kuadër të angazhimit të të dy kryeministrave për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve tashmë të forta dypalëshe mes vendeve.
Në pikën e çështjeve të sigurisë dhe çështjet e brendshme, autoritetet britanike e cilësojnë Shqipërinë si “një vend me origjinë të sigurt”, sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar.
“Ne jemi të përkushtuar për të forcuar më tej zbatimin e përbashkët të angazhimeve tona ndërkombëtare veçanërisht në fushën e kontrollit kufitar, të luftës kundër krimit të organizuar, duke përfshirë trafikimin dhe shfrytëzimin e qenieve njerëzore në të gjitha format e tij, dhe migrimin e paligjshëm”, vëren deklarata zyrtare.
Marrëveshja dypalëshe zyrtarizoi sakaq edhe formimin e një Taske Force të përbashkët në nivel të Ministrive të Brendshme.
Kjo, me objektivin e parandalimit, ndërprerjes së migracionit të paligjshëm dhe për të depërtuar në rrjetet kriminale.
Në kuadër të kësaj Task Force, palët pritet të forcojnë bashkëpunimin në nivel operacional, duke përfshirë ndarjen efektive të të dhënave dhe më shumë ekipe të përbashkëta operacionale.
Lidhur me riatdhesimet, Britania tha se kjo marrëveshje do të rrisë kthimet në Shqipëri duke përfshirë ata mbi 18 vjeç, të cilët janë identifikuar nga autoritetet britanike si viktima të skllavërisë moderne dhe qenieve njerëzore.
/albanianpost/