Rama: Diskutime mbi sfidën e përfshirjes së pensionistëve në hapësirën e rritjes ekonomike

Edi Rama [Ph Credits: Cese]

Diskutimi publik mbi çështjen e pensioneve ka vijuar në të gjitha qarqet e vendit, ku janë organizuar takime informuese me kategorinë e pensionistëve.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, si dhe ministra të kabinetit qeveritar, të cilët janë njëkohësisht drejtues të PS-së në qarqe, kanë zhvilluar takime të përditshme me pensionistët për t’i informuar ata mbi sfidën e realizimit të rritjes së pensioneve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një fotoalbum nga këto takime, ndërsa theksoi se qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste janë angazhuar në të gjithë Shqipërinë, në diskutimin e hapur për pensionet në rrugën drejt Shqipërisë 2030.

“Kemi ndarë me pensionistët fakte e pikëpamje mbi sfidën e përfshirjes së tyre në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit”, u shpreh Rama.

“Pensionet, drejt Shqipërisë 2030” është diskutimi publik i radhës i nisur nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama me fokus rëndësinë e luftës kundër informalitetit të pagave, si armiku kryesor i pensioneve.

Gjatë kësaj jave, kryeministrit Rama ka zhvilluar takime fillimisht me pensionistë, me qëllim informimin e tyre, lidhur me angazhimin e qeverisë për çështjen e pensioneve, për të adresuar një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme, në këtë aspekt.

Takimin e radhës, Rama e zhvilloi me sipërmarrës, në një debat mbi rëndësinë e luftës kundër informalitetit dhe mosdeklarimit të pagave reale.

Kryeministri Rama kërkoi nga sipërmarrësit krijimin e një fronti të përbashkët për t’i dhënë fund këtij fenomeni të pajustifikueshëm dhe për t’u dhënë pensionistëve pjesën e merituar nga çdo pagë në këtë vend.

Diskutimi publik me pensionistët po vijon në të gjitha qytetet e vendit. /ATSH/

Read Previous

NBA/ Milwaukee dhe Golden State e nisin me fitore, zhgënjim për Miami, Detroit e Clippers

Read Next

Eksportet gjermane të armëve në Izrael rriten pavarësisht thashethemeve për ndalimin e shitjeve