Rama dhe Escobar folën për dialogun Kosovë-Serbi dhe “Ballkanin e Hapur”

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka treguar detaje nga takimi me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar.

Rama tha se ky ishte një takim shumë miqësor, ku u fol për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe SHBA-së, por temë diskutimi ishte edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe iniciativa rajonale “Ballkani i Hapur”.

“Kënaqësi të mikprisja Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim shumë miqësor, ku folëm për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA-së, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë dhe Ballkanin e Hapur, si një nismë transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e Presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht”, ka shkruar Rama.

Në Tiranë, Gabriel Escobar u prit edhe nga Olta Xhaçka, ministre për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila tha se ishte një takim i shkëlqyer, duke shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e SHBA-së për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe nga vizita në Maqedoninë e Veriut, ku Escobar u takua edhe me presidentin Stevo Pendarovski, në Shqipëri ai preferoi mos ta përfshinte në agjendë presidentin Ilir Meta.

Read Previous

Jivdipe Tumenca – Të drejtat e njeriut

Read Next

ShSKUK: 5 pacientë me COVID-19 pozitivë, 30 post-covid