Rajon, treguesit e besimit ekonomik në EQL bien nga problemet e krizës

Treguesit e besimit ekonomik të Komisionit Europian për Europën Qendrore dhe Lindore (EQL), ranë në maj, pasi kriza që goditi botën, dëmtoi ekonomitë në të gjithë rajonin.

“Treguesit e ndjeshmërisë ekonomike të Komisionit Europian për Europën Qendrore dhe Lindore, treguan rënie në të gjithë rajonin dhe në të gjithë sektorët”, tha Liam Peach, një ekonomist tregu në firmën Capital Economics.

“Aktiviteti ekonomik në përgjithësi është ruajtur që nga fillimi i luftës në Ukrainë disa muaj më parë, por gjysma e dytë e këtij viti, ka të ngjarë të jetë më sfiduese dhe ne mendojmë se rimëkëmbja ekonomike do të ngadalësohet ndjeshëm”.

Krizat e njëpasnjëshme kanë ngadalësuar rritjen ekonomike, duke filluar me pandeminë globale COVID-19 në vitin 2020, që nxiti rritjen e shpejtë të inflacionit. Kjo u përkeqësua pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, duke shkaktuar një krizë ushqimore për shkak se eksportet e grurit të Ukrainës u ndaluan nga bllokada detare ruse.

Me rritjen e inflacionit, Banka Botërore tani po paralajmëron se bota do të përballet me një stagflacion, nëse bankat qendrore nuk i rrisin normat në mënyrë agresive, siç kanë filluar të bëjnë shumë prej tyre.

Rëniet më të mprehta ekonomike ishin në Sllovaki dhe në shtetet baltike, ndërsa rritje modeste pati në Bullgari dhe Kroaci.

“Matja jonë e ponderuar e PBB-së për Europën Qendrore dhe Lindore, ra nga 98.9 në 97.1, niveli më i ulët që nga prilli i vitit të kaluar dhe shumë më i ulët se niveli i fundit prej 120.0 në shkurt”, raporton Peach.

Rritja e inflacionit është shkaku kryesor i përkeqësimit të ndjeshmërisë ekonomike dhe pavarësisht rritjeve të normave, shumica e vendeve në rajon aktualisht kanë norma reale interesi thellësisht negative./Monitor.org/

Read Previous

Zjarr pranë Parkut Kombëtar Yosemite në Kaliforni, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Read Next

Numri i degëve të bankave në Shqipëri po rritet për herë të parë që nga viti 2012