Rafuna paralajmëron se nuk do t’i ndalin protestat

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen nëse Qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim për të parandaluar liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Rafuna ka njoftuar se këshilli do të mblidhet sot dhe do të propozojë hapat e ardhshëm për veprimet në ditët në vijim.

“Është një çështje që biznesi e ka ngritur dhe kurrë nuk ka qenë më i vendosur se sa tani. E keni parë që të gjitha bizneset janë me një zë, madje edhe ato që nuk janë anëtarë të Odës janë bashkuar për ta kundërshtuar këtë vendim, në mënyrë që të mos shkatërrohen bizneset dhe ekonomia”, deklaroi Rafuna për mediat në Prishtinë.

Ai ka theksuar se me rritjen që shënon çmimi i faturës së rrymës, do të jetë e papërballueshme fatura për bizneset.

“Asnjë biznes në Kosovë nuk mund të përballojë faturën që rritet për 300 për qind, kjo është e pamundur. Bizneset po ecin në tehun e thikës për shkak të shumë sfidave që kanë, dhe kjo shtohet si një goditje për ta. Kjo është grushti i fundit”.

Të enjten bizneset kanë bllokuar tri rrugët kryesore në Prishtinë për të kundërshtuar liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Hyrjet kryesore që ishin bllokuar janë ato nga Veterniku, Fushë Kosova dhe Podujeva.

Kompanitë e mëdha në Kosovë, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, nga 1 qershori duhet të zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike.

Ky vendim do të detyrojë mbi 1 mijë biznese të zgjedhin furnizuesit e tyre të energjisë, mirëpo kalimi në çmime të parregulluara ka hasur në rezistencë nga bizneset, të cilat kanë kërkuar shtyrje të mëtejshme të vendimit, pavarësisht se ky proces është vonuar që nga viti 2017.

Liberalizimi i tregut të energjisë është kundërshtuar edhe nga Oda Amerikane e Kosovës./Albanianpost.com

Read Previous

Moskonstituimi i Kuvendit, Haxhiu: Opozita me inat irracional, më quajnë përçarëse

Read Next

Dhjetë klubet më të vlefshme në botë sipas Forbes