Që nga e premtja qytetarët e Republikës së Kosovës mund ta nxjerrin certifikatën e gjendjes penale përmes platformës e-Kosova. Kjo u bë e ditur gjatë prezantimit të kësaj platforme nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).
Ky projekt është mbështetur nga Bashkimi Evropian “Sistemi Qendror i Evidencës Penale”.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, falënderoi Bashkimin Evropian për këtë përkrahje. Tha se pa përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtar, është i pamundur zhvillimi i gjyqësorit.
“Ky projekt përbën një storie të suksesit të institucioneve tona me ato ndërkombëtare dhe storie e suksesit edhe për gjykatat në Kosovë. Zhvillimi i gjyqësorit të Kosovës është i pamundur pa ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë”.
“Sot përmes këtij shërbimi, sipas statistikave tona, mund të konfirmoj që 700 qytetarë shkojnë më pak sesa më berët. Përveç kësaj ky sistem i ka mundësuar Kosovës, të jetë unike edhe me vendet e BE-së. Sistemi gjyqësor vazhdon të ketë qasje edhe për ata që janë fshirë nga procedura penale dhe do të jenë të qasshmd edhe për institucionet e sigurisë”, tha Zogaj.
Shefi i Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së, Johannes Madsen, tha se sistemi i drejtësisë është përballur me sfida. Sipas tij, më herët të dhënat penale të qytetarëve ishin ruajtur nëpër libra.
“Që nga sot ky sistem shumë i pritur është i qasshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës me një klik përmes shtëpive të tyre. Para zhvillimit të këtij aplikimi, të dhënat janë mbajtur në libra dhe ka pasur papërshtatshmëri. Themelimi i këtij aplikacioni, siguron që në të gjitha Gjykatat t’i ruajnë të dhënat e qytetarëve. Në emër të BE-së dua ta urojë KGJK, për këtë arritje të madhe, është një hap drejt sundimit të ligjit në Kosovë”, tha Madsen.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, tha se kjo platformë e lehtëson jetën e qytetarëve dhe rrit efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
“Qytetarët që me vite kanë pasur tortura për nxjerrjen e një certifikate të gjendjes penale, tani do ta kenë mundësinë që shumë më shpejt dhe më lehtë të marrin këtë certifikatë, për çka jam i lumtur që po e lehtësojmë jetën e qytetarëve. Po ashtu kjo platformë ka edhe një segment tjetër pozitiv, atë të rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit profesional dhe rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë”, tha Kelmendi.
E udhëheqësi i projektit “Sistemi Qendror i Evidencës Penale”, Bardhyl Hasanpapaj, tregoi për hapat që kanë ndërmarrë në krijimin e kësaj platforme, raporton EO.
“Gjatë prezantimit të projektit, është pak skeptik për partnerët dhe jemi munduar që ta prezantojmë siç është më së miri. Jemi munduar të jemi konkret dhe ta trajtojnë problemin siç ishte dhe duke i dhënë zgjedhje problemit disa vjeçar të qytetarëve. Jemi munduar që gjyqësori pas kësaj, të jetë më i mirë”. /EO/