Qeveria e Kosovës të martën ka prezantuar programin për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për familjet të cilët kualifikohen si konsumatorë të cenueshëm të energjisë elektrike.
Prezantimin e kësaj mase e ka bërë vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm, zbatimi i së cilës do të bëhet përmes Ministrisë së Financave.
“Fokus të veçantë në këtë program do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë si personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm”.
Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, sipas Kurtit, është program njëvjeçar i cili fokusohet në subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm të hyrat mesatare të të cilëve janë nën 150 euro për anëtarë të familjes.
“Një subvencionim i tillë do të ulë direkt barrën financiare që kanë këto familje nga konsumi i energjisë elektrike dhe do të sigurojë njëkohësisht që këto familje do të kenë furnizim të përballueshëm me energji elektrike sidomos gjatë periudhës së dimrit kur furnizimi me energji elektrike është shumë i rëndësishëm”.
Në fund Kurti ka theksuar se Qeveria të cilën ai e udhëheq është Qeveri e cila përkujdeset për mirëqenien e qytetarëve.
“Jemi qeveri e qytetarëve dhe gjithmonë do të përkujdesemi për mirëqenien e tyre”. /Albanianpost.com