Qeveria në detyrë ka marrë vendim për rritjen e shtesave për nënat lehona. Në mbledhjen e 261 të qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qeverisja e mirë ka në qendër mirëqenien e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e vendit. Ai përmendi rritjen e shtesave për nëna lehona nga 170 euro në 325. 9 euro.
Si çështje të parë të rëndësishme përmendi mbështetjen e nënave lehona. “Që në fillim të mandatit qeverisës, filluam skemën e shtesës për gratë lehona në nivel të pagës minimale gjashtë muaj nga 170 euro për lehonat e papunësuara dhe tre muaj nga 170 euro për lehonat e punësuara mbi pagesën që marrin sipas ligjit të punës dhe deri më tani rreth 70 mijë nëna kanë përfituar nga këto shtesa”, tha Kurti.
Duke qenë paga minimale e re, shtoi ai, është koha që kjo të reflektohet edhe për shtesat për gratë lehona.
“Sot në mbledhjen e 261 të qeverisë do të miratojmë vlerën e rritjes e vlerës mujore të shtesave nga 170 euro në 325. 9 euro, aq sa është vlera neto e pagës minimale të re”, deklaroi Kurti.
Ai foli edhe për rrogat në sektorin publik. “Rritja e parë ka filluari së zbatuari nga janari rritja e dytë do të filloj nga korriku.. Kështu pagat mujore për mbi 80 mijë zyrtarë publik do të jenë për 110 euro më të larta se sa ishim në dhjetor 2024. Paga mesatare do të arrijë në 865 euro në muaj (për zyrtarët publik)”, ka thënë ai .