Qeveria kërkon dhënien e autorizimit nga presidentja Osmani për dy marrëveshje me BE-në

Qeveria e Kosovës ka miratuar dy vendime ku kërkohet dhënia e autorizimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në lidhje me dy marrëveshje ndërkombëtare.

Nga qeveria u miratua vendimi për kërkesë ndaj Osmanit për dhënien e autorizimit për nënshkrimin e amendamentimit numër tre të marrëveshjes financiare në mes Kosovës dhe BE-së për programin “IPA 2015”.

“Qëllimi i këtij amendamenti është mundësimi i shtyrjes së afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të kësaj marrëveshjeje dhe kjo është e nevojshme në mënyrë që të mundësohet lansimi i sërishëm i tenderit për përkrahjen e procesit të de-komisionimit të pjesëve jo-operative të Termocentralit Kosova ‘A’”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Tutje, ai tha se teksti për këtë marrëveshje është finalizuar më 24 nëntor, ndërsa tash duhet të vazhdohet me procedurat e marrjes së autorizimit për nënshkrim.

Po ashtu, qeveria kërkoi nga presidentja e vendit dhënien e autorizimit për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për nënshkrimin e marrëveshjes mes BE-së dhe Kosovës për pjesëmarrje në programin “Drejtësia”.

Në lidhje me këtë, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se programi “Drejtësia” ka për synim të forcojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

“Më këtë rast, ju njoftoj se pas miratimit të nismës, është formuar delegacioni teknik që e ka finalizuar tekstin e marrëveshjes me përfaqësuesit e BE-së”, tha Sallahu. /Klankosova.tv/

Read Previous

Ballkani udhëton drejt Kroacisë për përballjen e nesërme ndaj Dinamo Zagrebit

Read Next

Shtesat prej 100 eurove për fëmijë, ministri Murati jep detaje