Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij ka thënë se ky buxhet i ndarë është bërë me qëllim që të promovohet Kosova.
“Me qëllim promovimin e Kosovës dhe një perspektivë më premtuese për bashkëpunim ekonomik në arenën ndërkombëtare, propozoj që të ndahen mjete buxhetore në vlerë prej 45 mijë euro për këtë forum”.
“Mjetet propozohen të ndahen nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit nën programin për promovim të vendit”, ka thënë Kurti para ministrave.
Në këtë mbledhje po ashtu është miratuar vendimi për marrëveshje mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministria së Mbrojtjes së Turqisë, në fushën e shëndetit ushtarak.
Përmes kësaj marrëveshje të miratuar kuota e trajnimeve mjekësore në dispozicion është rritur nga 50 në 75.
“Marrëveshje e bashkëpunimit në fushën e shëndetit ushtarak mes ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë përmes këtij protokolli mundësohet ofrimi i forcave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet njësore ushtarake turke”.
“Me këtë marrëveshje kuota e trajtimeve mjekësore në dispozicion rritet nga 50 në 75 në vit. Të gjitha këto trajtime janë falas dhe bëhen në spitale ushtarake”, ka thënë Kurti.
Më 29 janar, Kosova dhe Turqia kishin nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë, me qëllim të bashkëpunimit për shërbimin e personelit ushtarak.
Kjo marrëveshje përfshinte shkëmbimin e personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimet në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi. /Albanianpost.com