Pushteti flet për rekord në investime kapitale

Deputetja e partisë në pushtet, Jeta Statovci duke numëruar të arriturat e qeverise në pushtet, thotë se qeveria Kurti, ka thyer rekordin në shpenzime për investime kapitale. Në anën tjetër opozita duke mohuar të gjitha të arriturat e qeverise Kurti ka sfiduar pushtetin që të prezantojnë një projekt të vetëm të përfunduar në katër vjet qeverisje. Kritika për qeverinë në këtë rrafsh kanë edhe njohës të fushës së ekonomisë. Ata thonë se qeveria duhet të bëhet më realiste dhe të dhe të mos flas me statistika të dëshiruara

Ulja e borxhit publik, rritja e buxhetit vit pas viti, rritja e pagave, zvogëlimi i papunësisë, përmirësimi i të bërit biznes, subvencionet në fushën e energjisë janë vetëm disa nga të arriturat e qeverisë Kurti gjatë katër vjetëve në pushtet thonë deputet të Vetëvendosjes. Deputetja, Jeta Statovci, përveç kësaj numëron edhe, siç thotë, thyerjen e rekordit në investimet kapitale. Statovci, duke arsyetuar faktin se një numër investimesh kryesisht në infrastrukturën rrugore nuk kanë përfunduar, thotë se deri në fund të vitit qeveria do të shpenzojë mbi 700 milionë euro për këtë çështje.

“Ne jemi ende në përpilim të raportit të shpenzueshëmrisë deri në fund të vitit besoj se do dalim diku deri tek 700 milionë euro të shpenzuara vetëm në investime kapitale e dijmë se ka pasur probleme dhe janë në procedura përfundimtare shumica prej tyre. Vitin e kaluar kemi pasur rekord në investime kapitale kemi shpenzuar 500 milionë euro dhe këtë vit do dalim më lartë”, tha për rtv21 deputetja e Lisës Guxo, Jeta Statovci.

Një numër autostradash dhe projekte tjera infrastrukturore të nisura mbi një dekadë më herët nuk pritet të përfundojnë as në fund të këtij mandati qeverisës. Për këtë çështje pushteti kishte fajësuar partitë opozitare me arsyetimin se ata lanë borxhe të mëdha dhe i bënë projektet pa planifikim të duhur.

Ndërsa, duke mohuar të gjitha të arriturat e qeverisë në aspektin ekonomik gjatë këtyre katër vjetëve deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, sfidon qeverinë që të prezantojë një projekt të vetëm të përfunduar në këto katër vjet.

“Po pse a opozita nuk i la këta me i ndërtu 160 çerdhe? A opozita nuk i la këta me i ndërtu 4 mijë objekte banesore me çmim të përballueshëm, le të na prezantojnë një projekt të vetëm në këto katër vjet qoftë nga fillimi që e kanë nisur këta qoftë një i lënë në gjysmë. 32 metra rrugë ka ura e Badovcit nuk ka arritur me u përfundu, kemi papunësinë kemi ikje masive kemi ngritje të çmimeve enorme”, tha Bajrami.

Çdo qeveri që vjen në pushtet trashëgon telashet e qeverisë së kaluar thotë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, por, sipas tij, kjo nuk do duhej të ishte arsyeja që projektet infrastrukturore të zvarriten.

“More këta i kanë pas projektet gati veç është dasht me punu, normale është me pas probleme por jo të arsyetohen dhe të zvarriten kaq gjat projetket infrastruktuore ku janë çerdhet që premtuan”, tha Lekaj për rtv21.

Duke folur për rëndësinë që kanë projektet kapitale, njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri, ia bën me dije Qeverisë që të jetë më reale në shifrat e prezantuara.

“Deri më tani janë shpenzuar 50% e buxhetit ndoshta edhe më pak në investime kapitale gjë që është jashtëzakonisht negative për ekonominë. Ta marrim shembull premtimin për ndërtimin e 160 çerdheve si shkak i mos përmbushjes rreth 9 mijë nxënës kanë mbetur pa shkollim para fillor pra ky është ndikimi i investimeve kapitale” tha Beqiri për rtv21.

Qeveria tashmë ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2025, i cili pritet të jetë 3.6 milionë euro apo siç tha qeveria rreth 300 milionë euro më shumë se në vitin 2024. Sipas tyre në këtë planifikim buxhetor do të ketë një rritje në investime kapitale prej 8.4%. Buxheti për investime kapitale në vitin 2024 është mbi 850 milionë euro./RTV21/21Media

Read Previous

Pompei kufizon numrin e vizitorëve në 20 000 në ditë

Read Next

Mijëra njerëz dalin në rrugë në Valencia, protestë pas përmbytjeve tragjike