Pse Formula 1 ka nevojë për reforma?

Credit: Reuters

Vendimi i Red Bull-it për të kundërshtuar rezultatin e Çmimit të Madh të Kanadasë ka ngjallur kritika të gjera. Drejtori i ekipit Mercedes-it, Toto Wolff, e përshkroi atë si “të parëndësishëm” dhe “të turpshëm”, dhe vonesa e gjatë në konfirmimin e rezultatit të garës u prit me moskuptim nga tifozët dhe media.

U deshën më shumë se pesë orë e gjysmë që fitorja e George Russell-it të konfirmohej zyrtarisht nga FIA, pasi administratorët e garës e liruan nga çdo shkelje. Në atë kohë, Max Verstappen ishte larguar tashmë nga toka kanadeze, ai as nuk priti për të parë nëse fitorja mund t’i jepej në tryezë.

Protesta e Red Bull-it u përqendrua në drejtimin “e çrregullt” të Russell-it pas makinës së sigurisë dhe frenimi i tij i fortë duhet të konsiderohet “sjellje josportive”.

Të dy argumentet u hodhën poshtë nga administratorët e garës.

“Ata dalin me disa klauzola të çuditshme”

Problemi i vërtetë, megjithatë, ishte vonesa e madhe, dhe pikërisht kjo ngre pyetje në lidhje me procedurën e protestës për rezultatet e garës.

Në premierën e filmit F1 në Nju Jork, Wolff kritikoi kohën e protestës, duke i thënë “Sky Sports”: “U deshën dy orë para se Red Bull-i të paraqiste ankesën, ata duhet të fajësojnë vetëm veten për këtë”.

“Është kaq e parëndësishme. Ata po dalin me disa klauzola të çuditshme”.

“FIA duhet ta hetojë këtë, sepse ishte aq e pabesueshme saqë protesta u rrëzua”, theksoi ai.

Siç pritej, shefi i ekipit Red Bull-it, Christian Horner, e mbrojti ekipin e tij, duke i thënë të njëjtit transmetues: “Çdo ekip ka të drejtë ta bëjë këtë”.

“Mund ta ngrini çështjen para administratorëve të garës dhe pikërisht këtë bëmë ne. Nuk kam absolutisht asnjë pendim”, vijoi ai.

Kush është fajtor?

Ekipet kanë të drejtë të kundërshtojnë një rezultat nëse besojnë se është shkelur një rregullore sportive ose nëse ka prova të reja që administratorët e garës i kanë anashkaluar.

Horner pranoi se protesta kushtoi 2,000 euro dhe rrëfeu se ishte i befasuar që drejtimi i automjetit të Russell-it nuk u hetua automatikisht.

Nuk ishte as protesta e parë e Red Bull-it për këtë sezon.

Në Çmimin e Madh të Miamit në maj, ekipi e kishte akuzuar tashmë Russell-in se nuk kishte ngadalësuar mjaftueshëm nën shenjën e verdhë, edhe kjo u refuzua.

Sipas Horner, Red Bull-i thjesht donte të sqaronte interpretimin e rregullave.

Megjithatë, protesta të tilla ngrenë pyetje themelore në lidhje me rregulloret e protestave.

Tarifa prej 2,000 eurosh nuk është pengesë. Kushdo që dëshiron të bëjë një deklaratë ose të sfidojë rregullat mund ta bëjë lehtësisht këtë, edhe nëse ka kanale të tjera që kërkojnë më pak kohë.

Nëse kjo tarifë do të rritej ndjeshëm dhe, për shembull, do të kreditohej në tavanin e buxhetit, protestat e kota mund të shmangeshin.

Një shpenzim më i lartë financiar do të siguronte që të paraqiteshin vetëm protesta të bazuara mirë dhe që procesi në tërësi do të përshpejtohej.

Një çështje burimesh

Në Kanada, situata u ndërlikua edhe më tej nga numri i madh i incidenteve që duheshin hetuar.

Rregulli thotë se protestat përpunohen sipas radhës. Protesta e Red Bull-it, e cila u dorëzua vetëm dy orë pas finishit, përfundoi në fund të radhës.

Përpara Russell-it, komisionerët duhej të shqyrtonin incidentet që përfshinin Oliver Bearman-in, Lando Norris-in dhe Esteban Ocon-in, të ndjekura nga shtatë shkelje të tjera të dyshuara të makinës së sigurisë.

Kohët e gjata të pritjes i frustruan të gjithë të përfshirët.

Tifozët në vendngjarje u larguan pa e kuptuar qartë, dhe shumë shikues në Evropë shkuan në shtrat pa e ditur se kush e kishte fituar në të vërtetë garën. Kjo nuk ishte një pamje e mirë për një ngjarje që kërkon të rrisë popullaritetin e saj, sidomos në Amerikën e Veriut.

Një zgjidhje e mundshme do të ishte që Qendra e Operacioneve në Distancë në Gjenevë të hetonte paralelisht shkeljet më pak serioze, duke lehtësuar barrën mbi administratorët e pistës. Kjo do të përshpejtonte procesin e vendimmarrjes.

Një tjetër mundësi do të ishte rritja e numrit të administratorëve të garës. FIA tashmë po punon për rekrutimin e personelit më të kualifikuar.

Një gjë është e sigurt: vonesat e gjata në konfirmimin e rezultateve të garave duhet të adresohen urgjentisht.

Nëse ato bëhen normë, do të ishte një shenjë e keqe për të gjithë të përfshirët. /Albanianpost.com

Read Previous

VIDEO | Robotaksitë e Teslës fillojnë shërbimin në Teksas

Read Next

KQZ: Më 3 korrik fillon afati për përmirësimin e Listës Votuese dhe largimin e personave të vdekur