Provat më të forta deri tani për jetë përtej sistemit tonë diellor

Një ekip astrofizikësh thotë se vëzhgimi i përbërjeve kimike mund të jetë ‘pika e kthesës’ në kërkimin për jetë jashtëtokësore

Një planet gjigant 124 vite dritë larg Tokës ka dhënë provat më të forta deri më tani që jeta jashtëtokësore mund të lulëzojë përtej sistemit tonë diellor, pretendojnë astronomët.

Vëzhgimet e bëra nga teleskopi hapësinor James Webb për një planet të quajtur K2-18 b duket se zbulojnë gjurmë kimike të dy përbërjeve që, në Tokë, njihen vetëm si produkte të jetës, raporton The Guardian.

Zbulimi i kimikateve, dimetil sulfidi (DMS) dhe dimetil disulfidi (DMDS), nuk përbën provë përfundimtare për aktivitet biologjik alien, por mund ta afrojë më shumë përgjigjen për pyetjen nëse jemi vetëm në univers.

“Kjo është prova më e fortë deri tani për një aktivitet biologjik përtej sistemit diellor”, tha prof. Nikku Madhusudhan, një astrofizikan në Universitetin e Cambridgeit që drejtoi vëzhgimet. “Jemi shumë të kujdesshëm. Duhet të pyesim veten si për vlefshmërinë e sinjalit, ashtu edhe për domethënien e tij”.

Ai shtoi: “Dekada më vonë, mund të kthehemi pas në kohë dhe të kuptojmë se ky ishte momenti kur universi i gjallë u bë i prekshëm. Kjo mund të jetë pika e kthesës, kur papritur pyetja themelore nëse jemi të vetmit në univers bëhet një pyetje të cilës jemi në gjendje t’i përgjigjemi”.

Të tjerë janë më skeptikë, me pyetje që mbeten mbi faktin nëse kushtet e përgjithshme në K2-18 b janë të favorshme për jetë dhe nëse DMS dhe DMDS, që kryesisht prodhohen nga fitoplanktoni detar në Tokë, mund të konsiderohen me besueshmëri si biosinjatura./Express

Read Previous

Sekretarja e Trumpit kërcënon Harvardin

Read Next

Gjykata lëshon letër rreshtime ndërkombëtare për të akuzuarit në rastin ‘’Banjska’’