Të dy kandiduan në të njëjtën listë për tu bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës, e sot ata janë në garë për të marrë pozitën e të parit të shtetit.
Vjosa Osmani e Nasuf Bejta nga Lista “Guxo”, kishin kandiduar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ndërkaq në seancën e jashtëzakonshme e cila pritet të fillojë së shpejti në Kuvendin e Kosovës, ata do të garojnë për tu bërë President/e e Kosovës.
Por, kush janë dy kandidatët për President të Kuvendit të Kosovës?
Vjosa Osmani- Kandidate për presidente të Kosovës
Vjosa Osmani Sadriu, aktualisht është deputete e Kuvendit të Kosovës.
Dr. Vjosa Osmani Sadriu u lind më 17 maj 1982 në Mitrovicë, në Kosovë.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës.
Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA.
Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare. Në mandatet e kaluara ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.
Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.