Pritet miratimi i rregullores së re të Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të bëhet me rregullore të re më së largu deri në fund të sesionit veror. Grupi punues ka nisur punën për hartimin e saj, në kuadër të së cilës përfshihet edhe formimi i një trupi të ri të Kuvendit i quajtur “konferenca e kryetarëve”, që u jep rol vendimmarrës edhe shefave të grupeve parlamentare.

Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës për vite me radhë nuk është miratuar, por si duket këtë radhë ka vullnet për finalizimin e saj.

Kështu beson kryetari i komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, i cili thotë se Kuvendi pritet të bëhet me rregullore të re para sesionit vjeshtor.

“Si kryetar i Komisionit për legjislacion dhe pjesë e grupit punues do të përpiqemi që sa më parë ta kemi rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës, që shqyrtohet dhe miratohet në seancë. Unë nuk po jap afate, por gjithsesi mendoj se duhet të miratohet para sesionit vjeshtor. Kjo nënkupton që brenda verës së këtij viti do të miratohet rregullorja e re”, thotë ai për KosovaPress.

Teksa shprehet optimist se do të miratohet rregullorja e re në një afat të afërt, Rrustemi thotë se kjo e fundit duhet të jetë reflektim i të gjitha palëve.

Ai tregon se përmes rregullores së re synojnë të përmirësojnë efikasitetin e punës në Kuvend, duke marrë praktikat më të mira që janë shfaqur përgjatë viteve.

“Ne synojmë gjatë këtij procesi që të përmirësojmë efikasitetin e Kuvendit të Kosovës, të përfshijmë të gjitha sfidat dhe pengesat që janë hasur gjatë legjislaturave, por edhe të formalizojmë praktikat e mira që janë shfaqur gjatë këtyre viteve. Sa i përket vonesave, kjo duket qartë që në legjislaturat e kaluara nuk ka pasur konsensus të mjaftueshëm për ta miratuar rregulloren e Kuvendit, sepse rregullorja e punës e Kuvendit miratohet me 2/3 dhe kjo e ka vështirësuar”, thekson ai.

Se Kuvendi duhet të bëhet sa më parë me rregullore të re, thotë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, sipas të cilit, rregullorja aktuale ka nevojë për plotësim-ndryshim të tërësishëm.

Ai thotë për KosovaPress se rregullorja donë vetëm vullnet politik.

“Unë konsideroj që është më shumë se e domosdoshme të ndryshojë rregullorja e Kuvendit, ka nevojë për plotësim ndryshim të tërësishëm. Ne e dimë që ka pasur shpesh gjatë seancave në mandatet e kaluara zbrazëtira, të cilat nuk i ka mbuluar rregullorja… Mendoj që duhet të miratohet këtë vit, edhe pse kjo është legjislatura e katërt që ka marrë në agjendë rregulloren dhe nuk ka mundur me dërgu deri në fund. Në vitin 2019, kam qenë unë kryetar i komisionit, e kemi kalu në lexim të parë, por nuk ka pasur vullnet politik. Rregullorja donë vetëm vullnet politik”, thotë ai.

Pak më skeptike për miratimin e rregullores së re del të jetë Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Ajo thotë se përkundër deklarimeve të subjekteve politike se kanë për ta shtyrë përpara miratimin e rregullores së punës të Kuvendit, një gjë e tillë tash 10 vite nuk ka ndodhur./Telegrafi/

Read Previous

3 Variantet e koronavirusit që prekin të gjitha moshat

Read Next

Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar 16 persona