Presidentja Osmani i bën thirrje Amerikës për luftimin e ndikimit rus e kinez në Ballkan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të mërkure është takuar me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.

Në Këshillin e Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, e para e vendit takoi zëvendëskëshilltarin për siguri kombëtare, Jonathan Finer, drejtoreshën e lartë për Evropën, Amanda Sloat dhe drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Robin Brooks.

Gjatë këtij takimi, Osmani citohet ta ketë theksuar rëndësinë e marrëdhënieve Kosovë – ShBA dhe ndikimin pozitiv që kjo aleancë ka, duke thënë se sukseset e Kosovës erdhën si rezultat i vullnetit të fortë dhe qëndrueshmërisë së popullit të saj, por edhe shkaku i investimi të rëndësishëm të ShBA-ve.

Ndërkaq, në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Presidentes thuhet se zyrtarët e Këshillit të Sigurisë i kanë thënë Osmanit se presidenti amerikan, Joe Biden, është personalisht i përkushtuar ndaj Kosovës dhe se “Kosova ka mbështetje të fortë nga administrata e Presidentit Biden”.

Presidentja Osmani u takua edhe me ndihmëssekretaren e Shtetit, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin kryesor, Dereck Hogan, ku të dy palët vlerësuan raportet mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe partneritetin e thellë mes dy vendeve.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një prej sukseseve kryesore të politikës së jashtme të SHBA-ve. Duke qenë gjithnjë të udhëhequr nga vlerat dhe parimet e promovuar nga SHBA-të, ajo konfirmoi se institucionet në vend janë të përkushtuara për promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë si dhe zhvillimin ekonomik, i cili do të krijojë perspektivë për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Osmani ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në rajon, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe prezencën e, siç e quajti ajo, të rrezikshme të Rusisë e Kinës.

“Në këtë aspekt, ajo bëri thirrje për mbështetje të SHBA-ve në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Osmani.

Më tej, ajo tha se Kosova ka përkushtim të plotë për angazhim aktiv në dialogun Kosovë – Serbi, duke përmendur fjalët e presidentit Biden, se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje të ndërsjellë.

“Presidentja Osmani theksoi se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës mbetet përherë objektiv strategjik, ndaj  potencoi se në këtë drejtim Kosova sërish ka nevojë për mbështetjen e ShBA-ve drejt konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës.”

Nga këto takime, Osmani mori konfirmim për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe përkushtimin aktiv për arritjen e synimeve të Kosovës./GazetaSinjali

Read Previous

Bëhet ekzekutimi i pagesave për mbi 2 mijë lehona

Read Next

OBSH: Rastet me coronavirus po bien kudo përveç Evropës