Presidenti i WBC synon të rikthejë në ring Tyson Fury-n

(Nick Potts/PA Wire)

Tyson Fury vazhdon ta konsiderojë veten si një “pensionist”, i tërhequr nga boksi. Por mbetet shumë i hidhëruar për vendimin e gjyqtarëve në duelin e tij të fundit në ring, atë të humbur ndaj Oleksandr Usyk, në revanshin e zhvilluar në dhjetor 2024.

Pasi humbi titullin e tij WBC në maj 2024 (vendim shumice), në përballjen e parë me ukrainasin në maj 2024, Fury u mund gjithashtu edhe në ndeshjen e tyre të kthimit, këtë herë me vendim unanim.

Ai kundërshtoi me zë të lartë pas ndeshjes këtë vendim. Edhe pse deklaroi tërheqjen nga sporti dy muaj më vonë, Fury ende nuk është në paqe me vendimin. Presidenti i WBC-së, Mauricio Sulaiman, konfirmoi gjithçka.

Në një deklaratë për “Sky Sports”, kreu i WBC tha: “E telefonoj rregullisht dhe ai më thotë: ‘Oh, jam shumë i lumtur, i pensionuar. Jam këtu me gruan time’. Ai nuk më la të kuptohej fare se po planifikonte të kthehej”.

“Ai më tha gjithashtu se nuk ishte i kënaqur me vendimin në ndeshjen e dytë me Usyk. Fury është ende shumë i hidhëruar për vlerësimin e gjyqtarëve dhe ishte shumë i mërzitur. Por më tha se është tërhequr nga sporti”, shtoi Sulaiman.

Megjithatë, presidenti i WBC komentoi në fund: “Ndoshta si në filmin “The Godfather”, ndoshta do ta dëgjojmë të thotë: ‘Pikërisht kur mendova se isha jashtë, më tërhoqën përsëri brenda!’ Ne nuk e dime, ndoshta rikthehet”. /Telesport.al/

Read Previous

Bajrami: LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e nesërm

Read Next

​Shoqëria civile proteston sërish para Kuvendit