Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave të Spanjës (INE) të enjten, popullsia e Spanjës tejkaloi shifrën prej 49 milionë për herë të parë, e nxitur tërësisht nga emigracioni.
Në tremujorin e fundit të 2024, Spanja shtoi më shumë se 115,000 banorë të rinj, duke e çuar totalin në pak më shumë se 49 milionë. E gjithë rritja ishte falë emigrantëve, të cilët tani përbëjnë afërsisht një të pestën e popullsisë së Spanjës.
Në të vërtetë, numri i banorëve të lindur jashtë vendit u rrit me mbi 136,000, ndërsa popullsia e lindur në Spanjë ra me më shumë se 20,500.
Të dhënat më të fundit të INE tregojnë se niveli i lindjeve në Spanjë u tkurr në një rekord të ulët prej 1.12 fëmijë për grua në vitin 2023. Në tremujorin e fundit të vitit 2024, rreth 75% e emigrantëve vinin nga tre vende: Kolumbia, Venezuela dhe Maroku.
Mijëra të tjerë nga Peruja, Italia, Hondurasi, Argjentina, Ekuadori dhe Ukraina u bënë gjithashtu banorë spanjollë. Rajonet me rritjen më të madhe të popullsisë ishin Melilla, Valencia, Madridi dhe Katalonja.
Pavarësisht nivelit të ulët të lindjeve në vitet e fundit, popullsia e Spanjës është rritur me rreth 15 milionë që nga viti 1971. /Euronews.al/