Policia publikon planin e masave për ndeshjet e kombëtares shqiptare

Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave të ndërmarra për të garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të dy ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, që do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Ndeshjet do të jenë ndërmjet ekipeve Shqipëri dhe Çeki, më 16 nëntor 2024, dhe Shqipëri dhe Ukrainë, më 19 nëntor 2024.

Policia e Shtetit ka përgatitur masat e mëposhtme:

  • Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Çekisë dhe Shqipërisë, duke nisur nga aeroporti i Rinasit, në hotel, stadium dhe kthim;
  • Kryerja e kontrolleve të hollësishme për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara para futjes në stadium;
  • Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik, si brenda stadiumit, ashtu edhe në territorin e qytetit të Tiranës;
  • Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës dhe menaxhimi i trafikut rrugor në qytet.

Gjithashtu, Policia e Shtetit ka njoftuar se do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes. Rrugët që do të jenë të bllokuara përfshijnë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rrugën “Papa Gjon Pali II”, dhe disa rrugë të tjera të afërta me stadiumin.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Themistokli Gërmenji”;
* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;
* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Për të parandaluar incidentet, do të ketë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve para hyrjes në stadium. Po ashtu, Policia ka apeluar për qytetarët dhe tifozët të jenë vigjilentë për të shmangur mashtrimet me çmimet e biletave dhe ka paralajmëruar për pasojat ligjore që sjellin falsifikimet e biletave.

Nëse ndodhin incidente apo situata të paligjshme, Policia kërkon që qytetarët të denoncojnë menjëherë në numrin e urgjencës 112.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të sigurojnë rendin dhe sigurinë publike gjatë të gjithë kohës së zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare. /Euronews.al/

Read Previous

FFK ka një njoftim me rëndësi për tifozët që kanë bileta për ndeshjen Rumani-Kosovë në Bukuresht

Read Next

Apple raportohet se ka larguar podkastet e mediave të pavarura ruse