Policia e Kosovës ka hapur konkursin për pranimin e zyrtarëve policor. Aplikimi duhet të bëhet në mënyrë online përmes web faqes zyrtare të PK-së: www.kosovopolice.com. Shefja e operativës së stacionit policor në Gjakovë, Kapitene Mergime Dobra tha se ky konkurs garanton të drejta të barabarta gjinore, dhe njëherit ka inkurajuar qytetarët për pjesëmarrje.
Tutje Dobra ka uruar suksese për të gjithë kandidatët duke theksuar se disa nga kriteret që duhet t’i plotësojnë kandidatët janë: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të jetë i moshës 18-30 vjeçar, ta ketë të përfunduar shkollimin e mesëm, të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale, të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale dhe të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.