Plenkoviç dhe Rama kërkojnë që të merren urgjentisht masa ndaj Serbisë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ai kroat, Andrej Plenkoviç, kanë dënuar sulmin e terroristëve në veri të Kosovës, gjatë një konference të përbashkët për mediat.

Ata kërkuan masa urgjente nga Bashkimi Evropian dhe Perëndimi, pasi nuk mund “të lejohet” që Beogradi t’i shndërrojë në heronj ato “kriminelë”.

Të dielën, më 24 shtator, rreth 30 sulmues të armatosur vranë një polic të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës. Forcat e sigurisë së Kosovës eliminuan tre terroristë serbë në betejë, prandaj Beogradi shpalli ditë zie.

Numri një i Qeverisë në vizitën e tij zyrtare në Zagreb, theksoi se sulmi është po aq shqetësues sa edhe reagimi i Beogradit.

“Kemi një krim, vrasjen e një oficeri policie dhe kemi heroizimin e atyre që e kanë kryer”, tha Rama, duke nënvizuar se kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Evropë, e cila ka vlera të kundërta.

“Lëvizjet e Serbisë nuk mund të mbeten pa përgjigje”

Plenkoviç theksoi se këto lëvizje “nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se vendimi i Beogradit për ditën e zisë “pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”.

Ai ka theksuar se do të vijojë një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të bëjë propozime për masa.

Komisioni Evropian (KE) gjithashtu mund të miratojë masa në mënyrë autonome, pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare, siç bëri kundër Kosovës disa muaj më parë.

Kryeministri kroat theksoi se është i sigurt se masat do të merren dhe Rama kërkoi që ato të zbatohen “pa humbur kohë”, sepse vendimi i Beogradit për ditën e zisë nuk lë vend për interpretime të ndryshme. /Albanianpost.com

Read Previous

Kuvendi mban tri seanca plenare gjatë kësaj jave, opozita kërkon rritje të pagave për policët

Read Next

Petritsch për zhvillimet në veri: Kriza më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë