Burime të besueshme të Gazetës Sinjali konfirmojnë se aksioni i sotëm antidrogë në Prishtinë, Suharekë, Pejë dhe Viti dhe Gjilan; është ngritur mbi informacione të nxjerra nga komunikimet e përgjuara në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC” – një platformë që për vite është përdorur nga rrjete kriminale për të koordinuar veprimtari ilegale në gjithë Evropën.
Zanafilla e hetimit daton disa muaj më parë, kur autoritetet e rendit në Kosovë, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, kanë marrë qasje në komunikimet e deshifruara të përdoruesve të Sky ECC, që dyshohej se janë të përfshirë në trafikim të narkotikëve dhe organizim të veprimtarive kriminale nga territori i Kosovës.
Komunikimet kanë përfshirë biseda, plane për shpërndarje droge, përmendje të emrave, lokacione dhe metoda të fshehjes, që kanë çuar në hapjen e një hetimi të strukturuar, me masa të fshehta teknike dhe operative për disa muaj.
Pikërisht këto informacione kanë qenë bazë për lëshimin e urdhërbastisjeve nga gjykatat, të cilat u ekzekutuan sot me asistimin e Forcave Speciale dhe Njësive të Antidrogës.
Megjithatë, ndonëse bastisjet ishin të shënjestruara dhe të sinkronizuara, asnjë sasi e substancave narkotike nuk është gjetur deri më tani, çka ka ngritur pikëpyetje nëse informacionet e Sky ECC janë të tejkaluara në kohë, apo nëse rrjetet kanë ndryshuar metodat e operimit.
Përkundër kësaj, disa persona janë arrestuar, pajisje elektronike janë sekuestruar, dhe hetimet po vazhdojnë në përpjekje për të lidhur komunikimet me veprime konkrete në terren.
Sky ECC, e konsideruar si “komunikimi i mafisë”, është aplikacioni që u thye nga autoritetet franceze dhe holandeze, duke çuar në mijëra arrestime në Evropë – dhe tani, për herë të parë, ka gjeneruar aksione edhe në Kosovë.
Ndryshe, Sky Global kishte prodhuar telefona të pagjurmueshëm dhe ishin të preferuar për kriminelët që kryenin vrasje dhe planifikonin shumë të tjera.
Telefona të tillë kishin edhe një grup kriminal në Serbi që kishte masakruar disa persona, por edhe shumë grupe të tjera kriminale nëpër Evropë dhe jo vetëm.