Pikëpyetjet mbi autorësinë e pikturës që u shit si vepër e Da Vincit

Një dokumentar francez ka hedhur dyshime të reja mbi pikturën më të shtrenjtë në botë, “Salvator Mundi”, të Leonardo da Vinci, duke shkaktuar një përplasje diplomatike midis Francës dhe pronarit të saj saudit.

Vepra me portretin e Jezu Krishtit, e njohur edhe si “mashkulli Mona Lisa”, u shit në një ankand të “Christie’s” në vitin 2017, në New York, me çmim rekord prej 450 milionë dollarësh.

Blerësi sekret më vonë u zbulua se ishte princi saudit, Mohammed bin Salman, megjithëse kjo ende mohohet në Riad. Por ka kohë që ka pasur pikëpyetje nëse ajo është tërësisht një vepër e Da Vincit.

Çështja doli në pah përsëri kur piktura nuk u shfaq ashtu siç ishte planifikuar në muzeun “Louvre Abu Dhabi” në vitin 2018, dhe pastaj një vit më pas në ekspozitën e paralajmëruar nga Muzeu i Louvreit në Paris.

Tash dokumentari “The Savior for Sale” (Shpëtimtari për shitje) nga regjisori Antoine Vitkine, që do të shfaqet premierë në televizionin francez javën e ardhshme, synon të zbulojë se çfarë po ndodh prapa skenave.

Në film zyrtarë të lartë nga Qeveria e presidentit Emmanuel Macron, të paraqitur me pseudonime, konfirmojnë që analiza shkencore të kryera nga Louvrei dolën në përfundimin se gjersa vepra është realizuar në atelienë e Da Vincit, vetë mjeshtri vetëm “kontribuoi” në pikturë. Kjo me sa duket ndikoi te sauditët.

“Gjërat u bënë të pakuptueshme”, ka thënë një nga zyrtarët francezë në lidhje me filmin. “Kërkesa nga ‘MBS’ (bin Salman) ishte shumë e qartë: shfaqeni ‘Salvator Mundin’ pranë ‘Mona Lizës’ dhe paraqiteni si pikturë të realizuar 100 për qind nga Da Vinci”.

Sauditët ofruan marrëveshje të ndryshme, thotë zyrtari, por rekomandimi i tij për Elysee ishte që kjo të dërgonte “në pastrim parash për një punë artistike prej 450 milionë dollarësh”.

Dokumentari pretendon se disa anëtarë të Qeverisë franceze, përfshirë ministrin e Jashtëm Jean-Yves Le Drian, lobuan në emër të kërkesës së bin Salman. Ata ishin të shqetësuar për ndikimin në marrëdhëniet e gjera strategjike dhe ekonomike të Francës me Arabinë Saudite.

Por sipas dokumentarit, Macron në fund të fundit vendosi të refuzonte kërkesën e Bin Salmanit, duke ia lënë në dorë Muzeut të Louvreit për të negociuar me sauditët se si duhet të ekspozohet piktura në ekspozitën retrospektive me veprat e Da Vincit. Nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe Muzeu nuk ka pranuar të komentojë rastin.

“Sauditët kanë frikë nga ky debat mbi vërtetësinë”, ka thënë në dokumentar Chris Dercon, i cili kryeson një nga organet kryesore të muzeut në Francë dhe këshillon Qeverinë Saudite për artin.

“Ata kanë frikë se njerëzit do të thonë, brenda dhe jashtë vendit: ‘ju i keni shpenzuar të gjitha këto para për diçka që nuk u realizua nga Da Vinci’”.

Piktura u ble fillimisht në vitin 2005 për vetëm 1 mijë e 175 dollarë nga një tregtar arti në New York dhe u restaurua në Shtetet e Bashkuara.

Disa ekspertë britanikë vërtetuan se piktura e humbur prej kohësh është e Da Vincit dhe u prezantua si e tillë në Galerinë Kombëtare të Londrës në vitin 2011 para se t’i shitej një oligarku rus për 127.5 milionë dollarë dy vjet më vonë. / Koha.net

Read Previous

Kosovarët ia mësyjnë Shqipërisë pas vendimit për mbyllje

Read Next

1 mijë e 960 të vdekur nga Covid-19 deri më tani në Kosovë