Pesë muajt përpara zgjedhjeve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, e vulosi datën e zgjedhjeve të përgjithshme 2025, duke caktuar 11 majin si ditën kur shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit dhe do të shprehin vullnetin e tyre politik për katër vitet e ardhshme.

Kështu, duke shënjuar në një formë simbolike edhe nisjen e “vrapit” politik drejt zgjedhjeve për partitë kryesore politike në vend, të cilat do të duhet të nisin përgatitjet (në mos i kanë nisur), për t’u imponuar në një fushatë zgjedhore zyrtare 30 ditë përpara zgjedhjeve, e pritshme të fillojë më 10 prill, por ende e pashpallur.

Megjithatë, beteja politike mes të majtëve dhe të djathtëve është e vijueshme dhe ajo prej kohësh ka nisur, jo vetëm përmes replikave publike, por edhe përmes veprimit konkret të forcave politike.

Në kampe të ndryshme, ka edhe qasje të ndryshme ndaj fushatës zgjedhore. Si pritet të jetë ajo?

Lokomotiva e pandalur e majtë

Partia Socialiste mund të ketë shumë pika të dobëta, duke përmendur ndoshta prurjet shumë të vakëta ndër radhët e saj, personalitetet politike gjithnjë e më shumë pa peshë për shkak të listave zgjedhore, apo edhe dëshmisë së arrogancës së tepruar të shprehur në tre mandatet radhazi kur kanë qenë në pushtet.

Por një gjë është e pamohueshme: Organizimi i pakontestueshëm dhe më i arriri nga një parti politike në Shqipëri, në aspektin strukturor!

Të majtët në fakt, mbledhjet e ndryshme mes tyre për të nisur motorët e fushatës i kanë të pareshtur prej marrjes së mandatit.

Fillimisht, pas marrjes së mandatit të tretë, nisën përgatitjet për zgjedhjet vendore, ku morën shumicën dërrmuese të bashkive në vend. Nga ana tjetër, pas kësaj fitoreje, nisën menjëherë përgatitjet për zgjedhjet 2025.

Vetë kryeministri Edi Rama është angazhuar me tryeza ku ka thirrur strukturat, ku ka kërkuar mobilizim, angazhim të shtuar dhe dëgjim të problemeve të qytetarëve në mënyrë të pandërprerë. Pa harruar këtu edhe sondazhet e vazhdueshme të opinionit publik rreth situatës në vend dhe pritshmërive të tyre.

Përtej kësaj, me vendimin për votimin e diasporës, vetë Rama u angazhua me një tur diaspore të mirëmenduar, ku përveçse ka gjetur mënyrën për të mbledhur shqiptarët jashtë, në Greqi, Itali, SHBA apo Britani, ka gjetur edhe rastin për t’i kërkuar votën atyre në zgjedhjet 2025.

PD rigjen liderin para zgjedhjeve

Dukej fillimisht sikur do ishte një fushatë pa kokë për Partinë Demokratike. Protestat e tyre ishin të vakëta, pa shumë pjesëmarrje, pa një qëllim të qartë përtej lirimit të liderit të tyre, Sali Berisha, nga arresti i shtëpisë ku mbahej prej një viti.

Mirëpo kjo (papritur) u arrit dhe Berisha tashmë është i lirë.

Lajmi është i mirë për demokratët, të cilët e rigjejnë liderin e tyre, por i sheh në sprovë për të gjetur kauzën e duhur dhe për të prekur notat e duhura në pjesën që duhet të luajnë për t’i marrë qytetarëve besimin dhe votën.

Vetë Berisha, prej disa ditësh i lirë, nxitoi të merrte me Kryesinë vendimet e para, të shpallte drejtuesit e fushatës në disa qarte, apo edhe grupet e punës.

Teksa, siç bëri me dije vetë Berisha, ai nuk përjashtoi nisjen e takimeve me diasporën shqiptare. Ai me të vërtetë e ka të pamundur të udhëtojë drejt SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të përcaktimit të tij si non grata, por me heqjen e ndalimit të daljes nga vendi, ai mundet fare mirë t’i adresohet në person mbështetësve në vendet fqinje, anëtarë të Bashkimit Evropian, apo më gjerë.

Sfida e tij e vërtetë do të jetë të mundë kohën – si për të dhe për forcën politike që drejton – në luftën për vota përballë të majtëve.

PL, drejt zhdukjes

Partia e Lirisë prej kohësh është në telashe, me një lider tashmë të burgosur dhe nën hetim për korrupsion dhe fshehje të pasurisë, me një ish-lidere që është tërhequr thuajse nga politika dhe pa emra bindës në asnjë rang për të kërkuar votën e shqiptarëve.

Më së shumti, ajo çfarë më shumë i dhemb PL-së në këto zgjedhje, është fakti se Berisha nuk ka më nevojë për ombrellën e tyre politike.

Berisha vetë, për herë të parë pas rikthimit të tij në krye të PD-së, mund të garojë më në fund me logon e tij, ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, kur partia juridikisht i takonte Lulzim Bashës. Atëherë, Berisha futej me ose pa dëshirën e tij nën ombrellën e PL-së dhe garonte me një logo të sajuar të “Shtëpisë së Lirisë”.

Por, është e vështirë të shihet mundësia e një koalicioni të tillë sot, në kushtet kur logoja, emri, simbolet e vulat e PD-së, peshojnë shumë më shumë se mundësia për një koalicion.

Shpëtimi i vetëm i PL-së në këtë rast, mund të jetë një “shpërblim” eventual që Berisha mund t’i japë, në shenjë falënderimi për mbajtjen e tij në gara zgjedhore, duke i dhënë disa vende preferenciale brenda listës së demokratëve.

Në të kundërt, nga 16 në 4 zgjedhjet e shkuara, nuk është habi të shohim në PL nga 4 në zero./albanianpost/

Read Previous

Policia e Shtetit: 73 operacione të finalizuara gjatë nëntorit

Read Next

Kë mund të zgjedhë Macron si kryeministër të ri të Francës?