Shtatorja e humanistes shqiptare Nënë Tereza tanimë do të jetë edhe në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë.
Këtë e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është duke qëndruar që nga e mërkura për vizitë zyrtare në këtë shtet të Gadishullit Iberik.
“Bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruam shtatoren e shenjtores shqiptare Shën Tereza”, ka shkruar Osmani në Facebook.
E para vendit ka theksuar se kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, “një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët.
“Le të shërbejë kjo statujë si një kujtesë e vazhdueshme e bamirëses më të madhe që njohu njerëzimi!”, përfundoi ajo.
Edhe para dy muajve, Osmani, së bashku me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kishte marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Nënës Terezë, në hapësirat e ambasadës së Kosovës në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë ceremoni kishte marrë pjesë edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. /Albanianpost.com