Përpjekja e 13-të për konstituim të Kuvendit

Foto: Driton Paçarada/Koha.net

Sot sërish do të mblidhen deputetët e Kosovës, në përpjekjen e 13-të për konstituim të Kuvendit.

Procesi i konstituimit të Kuvendit ka mbetur në zgjedhjen e kryeparlamentarit, ku e propozuar për këtë pozitë nga Lëvizja Vetëvendosje është Albulena Haxhiu.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë votë për Haxhiun, pasi sipas tyre, nuk është person unifikues.

Në anën tjetër, LVV insiston në emrin e Haxhiu.

Lideri i LVV ditë më parë i ka dërguar një letër liderit të LDK-së, Lumir Abdxhiku, duke e ftuar në koalicion.

Abdixhiku ka refuzuar koalicionin me LVV, por ka propozuar Qeveri tranzicionale. Por, edhe ideja e liderit të LDK-së është refuzuar nga PDK e AAK.

Ndërkaq, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së i ka bërë thirrje Presidentes së Republikës që të ndërmarrë nismën për një tryezë gjithëpërfshirëse politike, si hap i mundshëm drejt zhbllokimit të situatës dhe rikthimit të normalitetit institucional.

Sipas PDK-së, zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i pyetur nëse AAK-ja do ta mbështeste Fatmir Limajn për postin e kryetarit të Kuvendit në rast se një propozim i tillë do të vinte nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Haradinaj u shpreh skeptik për mundësinë e një vote pro nga partia e tij.

Ai ka shprehur publikisht zhgënjimin e tij ndaj Fatmir Limajt, duke e akuzuar këtë të fundit për mosrespektim të marrëveshjes së bashkëpunimit politik.

Haradinaj tha se në çdo dalje publike me Limajn kishin kërkuar vota për ndryshim përballë Qeverisë së Albin Kurtit, por sipas tij, ky qëndrim nuk është respektuar.

“Kudo që kam shkuar me Limajn, kemi kërkuar votë për ndryshim kundrejt Kurtit. Kjo nuk është respektuar, është e dhimbshme. Jo që më ka lënduar personalisht, por ne po mundohemi për vendin dhe mendojmë se ka nevojë për besnikëri, për t’i çuar këto procese aty ku duhet. Nuk jam ndjerë mirë, po e them sinqerisht dhe më vjen keq për situatën,” ka deklaruar Haradinaj.

Ndryshe, sot seanca është caktuar në ora 10:00 dhe deputetët për të 13-në herë tentojnë konstituimin e Kuvendit. /Telegrafi/

Read Previous

Emri Leo rikthehet në Vatikan pas 100 vjetësh – çfarë simbolizon për Papën e ri?

Read Next

Shkallëzohet konflikti Indi–Pakistan