Me homazhe tek varrezat e Dëshmorëve, u kujtua vepra dhe heroizimi i dëshmorëve të Brigadës 137”Gjakova” të UÇK-së si dhe 22 vjetori I Epopesë së Çabratit. Dihet se formimi i brigadës erdhi në kohën kur u paraqit nevoja që të ndërhyhet në qytetin e Gjakovës, që të ndalen masakrat e ushtrisë serbe ndaj qytetarëve të saj. Me këtë rast komandanti i kësaj brigade, Agron Kryeziu, tha se edhe pse ka ende dhimbje për bashkëluftëtarët që humbën jetën sot ata ndihen të lumtur që gjeneratat e reja kanë mundësinë të jetojnë të lirë.
Si edhe çdo vit tjetër pranë varreve të dëshmorëve qëndronin familjarë të tyre, të cilët ende i kujtojnë ata me mall dhe dhimbje, por që sipas tyre flijimi i tyre për liri ishte një mision me vlerë.
Po sot janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh edhe në varrezat martirëve në kodren e Çabratit. Kryetari i komunës Ardian Gjini tha se bashkë me kujtimin për ta, duhet të mos harrojmë idealin e tyre. Të kujdesemi që të jetësojmë porositë e tyre për një Kosovë të sigurtë dhe me një të ardhme të ndritur.
Beteja e Çabratit është e një rëndësie të veçantë për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ishte mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës. Të rënët u nderuan me homazhe edhe nga përfaqësues të lëvizjes vetëvendosje. Me këtë rast deputeti Agon Batusha tha se ata që janë flijuar për lirinë e vendit na kanë lënë amanet Kosovën që ta zhvillojmë e shndërrojmë në një vend të begatë.
7, 8 dhe 9 Maji janë ditët e lavdisë të të gjithë të rënëve , ndërsa për Gjakovën këto janë data krenarie që do të mbeten përherë në historinë tonë.