Përgatitjet për rifillimin e dialogut dhe dështimi i takimit trepalësh – çka u tha dje pas takimit të Bislimit me Sorensen në Bruksel

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar të hënën në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, por takim trepalësh nuk ka pasur.

Bislimi, ka thënë se, takimi i 2 qershorit ishte planifikuar të ishte trepalësh, por ekipi i Serbisë është përballur me vonesa gjatë shkuarjes në Bruksel.

“Ka qenë i paraparë edhe një trilateral, por ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme”, ka deklaruar ai.

Ai tha se nga Sorensen janë njoftuar lidhur me qasjen që ai mendon ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të Kryenegociatorëve apo takimet e larta që udhëhiqen nga Kryediplomatja Kaja Kallas, shkruan Reporteri.net.

Në këtë takim, Bislimi tha se kanë ngritur një sërë temash, të cilat janë me shumë rëndësi që sa më shpejt të ketë përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje.

“Përshembull kemi rastin e menagjimit të integruar të kufirit ku ka mungesa të mëdha nga ana e Serbisë si në përmbushjen e obligimeve të tyre për shembull në tri pika kufitare që ata është dashur të ndërtojnë, ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që në Bujanoc, përshembull në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka më shumë udhëtarë që kthehen edhe nga diaspora, por edhe për problemet që kemi në këtë fushë me njohjen e certifikatave fitosanitare edhe atyre veterinare dhe pengesave që iu bën Serbia. Pastaj ngritëm temën e kostove shumë të mëdha që po lindin nga mosfunksionalizimi i linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, që janë obligime të papërmbushura të Serbisë në kuadër të implementimit të marrëveshjes së energjisë. Treguam se deri në ç’masë janë humbjet që ka Kosova në baza vjetore nga kjo dhe barrierat që në vazhdimësi Serbia në mënyrë artificiale po i vendos”, ka deklaruar Bislimi.

Për takimin është deklaruar edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Sorensen paralajmëroi se do të ketë takim tre palësh së shpejti, teksa tha se takimi i djeshëm ka qenë përgatitor.

“Prita sot Kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në kuadër të përgatitjeve për takimin trepalësh të dialogut, sot në Bruksel. Diskutuam për një sërë çështjes të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Planifikoj të organizoj një takim trepalësh së shpejti”, ka shkruar Sorensen.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas,  ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut gjatë vizitave të saj në Kosovë dhe Serbi.

BE-jaka përsëritur se se marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksi i Ohrit për zbatim mbeten në fuqi dhe se të dyja palët duhet t’i zbatojnë ato. /Reporteri.net/

Read Previous

KFOR dhe Ambasada e Japonisë forcojnë bashkëpunimin për stabilitetin në Kosovë

Read Next

Tërmete me magnitudë 6.2 dhe 5.8 pranë Rodosit dhe në Turqi