Policia e Kosovës, respektivisht njësia e trafikut rajonal në Gjakovë ka rreth një javë që ka ndërmarrë një aksion për largimin e veturave përgjatë trotuareve dhe rrugëve në disa pjesë të ndryshme të qytetit. Gjatë këtij aksioni zyrtarët policor kanë shqiptuar tiketa e trafikut për ngasësit që i kanë parkuar veturat në trotuare. Poashtu janë konfiskuar dhjetëra vetura të cilat kishin zënë vend në hapësirat e gabuara.
Komandanti i trafikut rajonal Kapiten Albin Sahatqija përmes telefonit ka thënë për televizionin Syri se pëgjatë një jave janë shqiptuar 200 tiketa për ngasësit që kanë parkuar veturat e tyre në trotuare. Ndërsa janë konfiksuar më shumë se 20 vetura të cilat janë larguar me merimangë. Tutje Sahaqtija ka theksuar se ky aksion ka për qëllim lirimin e trotuareve dhe të rrugëve nga parkimet e parregullta duke mos përjashtuar edhe kundërvajtjet tjera.
Konform kësaj njësia e trafikut rajonal nga 1 dhjetori i këtij viti ka filluar me kontroll të shtuar të transportit publik, me qëllim të ngritjes së sigurisë rrugore. Vetëm përgjatë kësaj jave bëhet e ditur se janë shqiptuar 70 tiketa për kundërvajtës të ndryshëm të transportit publik. Rikujtojmë se largimi i veturave nga trotuaret do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Lidhur me këtë disa nga qytetarët prapa kamerës së televizionit Syri janë arsyetuar për parkimin e veturave në trotuare pasi që sipas tyre ka shumë mungesa të parkingjeve brenda qytetit. Kurse të tjerë qytetarë e kanë mirëpritur këtë aksion, sepse sipas tyre janë liruar shumë hapësira që më parë kanë penguar lëvizjen e lirë të tyre.