Afërsisht janë bërë 3 javë prej kur ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë, e me 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca që kanë qenë në dispozicion deri më tani janë vaksinuar vetëm 12 mijë persona. Përkundër që Ministria e Shëndetësisë po vlerëson që ky proces po shkon jashtëzakonisht mirë, ka të tjerë që ndajnë mendim tjetër, madje konsiderojnë që procesi i vaksinimit anit-COVID në Kosovë po shkon ngadalë.
Në një përgjigje për KosovaPress nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se vaksinimi po shkon sipas Planit Shtetëror për Vaksinim. Sipas tyre nuk ka nevojë për nguti.
Vetëm në qendrën kryesore të vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë prej 30 marsit kur nisi vaksinimi i profesionistëve shëndetësorë e më pas edhe i personave mbi moshën 80-vjeç e tani kur po ndodh edhe vaksinimi i pacientëve me dializë në total janë vaksinuar mbi 4 mijë persona.
Kështu ka njoftuar koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi i cili për KosovaPress tha se plani ka qenë që shpërndarja e dozave të vaksinës anit-COVID në këtë qendër të përfundojë për rreth 1 javë.
Sipas tij, kjo qendër ka kapacitet për të vaksinuar deri në 1 mijë persona në ditë pasi thotë se aktualisht ekipet mjekësore po presin për të vaksinuar kategoritë që janë thirrur për vaksinim.
Të gjithë procesin e vaksinimit kundër koronavirusit i cili tash e gati 3 javë ka nisur në Kosovë po e konsideron të ngadalshëm, Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve. Ai thotë se përgatitjet e ekipeve mjekësore nuk kanë munguar.
Edhe për specialisten për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli procesi i vaksinimit është pak i ngadalshëm. Ajo këtë e arsyeton me faktin se prioritet në këtë fazën e parë të vaksinimit kanë pasur profesionistët shëndetësorë, dhe bartja e tyre ka kaluar me disa ngecje.
Xhemajli thotë se duhet të nis sa më parë një fushatë vetëdijësuese për vaksinimin, madje kërkon mobilizim më të madh me ardhjen e kontingjenteve të tjera të vaksinave.
Kurse, Shemsedin Dreshaj anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, thotë se nëse vazhdohet me këtë ritëm të vaksinimit problem do jetë shpërndarja e vaksinës kur do kemi doza të mëdha.
Më 28 mars Kosova i ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19. Këto doza të vaksinës AstraZenenca u dhuruan si donacion për qytetarët e Kosovës nga COVAX-i. E ata që kishin prioritet për t’u vaksinuar ishin profesionistët shëndetësorë, më pas qytetarët mbi moshën 80-vjeç dhe ata me sëmundje kronike. I pari që e mori dozën e vaksinës AstraZenenca ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /KosovaPress