PDK-ja pritet t’i drejtohet Kushtetueses

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se e kanë gati lëndën për dërgim në Gjykatën Kushtetuese për “shkeljet kushtetuese të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje në dy seancat e fundit”.

Ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se LVV-ja po vepron në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij, e ndalon votimin e fshehtë të zgjedhjes së kryeparlamentarit, shkruan KosovaPress.

Sa i përket mundësisë që presidentja Osmani të dërgojë kërkesë të veçantë në Kushtetuese për ngërçin në Kuvend, Krasniqi, tha se kjo është në dorën e saj a do ta bëjë një gjë të tillë.

“I takon presidentes të marrë një vendim të tillë. Unë nuk mund të them se a do të dërgojë apo kur nëse do të dërgojë. Unë mund të them se PDK-ja e ka lëndën gati për shkeljet kushtetuese të cilat janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe vetëdijshme në dy seancat e kaluara dhe mund të ndodhë edhe nesër nëse nuk ndryshon qasja e kryesuesit dhe LVV-së. Por këto janë çështje të ndara”, tha ai.

Janë bërë më shumë se pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, mirëpo institucionet e reja ende nuk janë formuar si pasojë e krizës politike dhe dështimit të zgjedhjes së trupave të Kuvendit, që do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.

Përkitazi me këtë, Krasniqi tha se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar, derisa i bëri thirrje LVV-së dhe liderit të saj, Albin Kurti që të heqin dorë nga kryeneçësia dhe të propozojnë një figurë unifikuese për kryekuvendar.

“Edhe në këtë takim e ri konfirmova qëndrimin e PDK-së për të luajtur rolin tonë në gjetjen e një zgjidhje drejt krizës politike, sidomos tani që kemi edhe qartësi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili ka bërë të qartë rolin e secilit. Në radhë të parë të koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje dhe ka detyruar përveç të tjerash edhe gjetjen e konsensusit apo kompromisit. Shpresoj që këto konsultime të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera të cilat i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë ka apo s’ka ndonjë ndryshim të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kurtit, të cilët po vazhdojnë të mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Për PDK-në është e qartë dhe këto qëndrime ia shpreha edhe presidentes, që aktgjykimi e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit. E ka bërë të paluajtshëm ndryshimin e rendit të ditës. Rendi i ditës është ai që taksativisht është i shkruar në Rregulloren e Kuvendit”, shtoi Krasniqi.

Duke iu përgjigjur kritikave të Kurtit dhe LVV-së se nuk po dinë me interpretuar aktgjykimin e Kushtetueses, Krasniqi, tha se ata janë të fundit që mund të bëjnë konstatime të tilla pasi pothuajse të gjitha lëndët në Gjykatën Kushtetuese i kanë humbur.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutës dhe aktgjykimeve, nëse ka një parti politike dhe një lider që nuk duhet të merren me interpretime është Albin Kurti dhe LVV-ja. Sa herë kemi dërguar në Kushtetuese ne kemi fituar lëndë dhe ata i kanë humbur ato… Është krejtësisht e qartë. Nëse thuhet se s’mundet me u ndryshu rendi i ditës, atëherë si mund të shtohet, siç është formimi i komisionit”, përfundoi ai.

Presidentja Osmani paraprakisht ka pritur në takim liderin e LVV-së, Albin Kurti, i cili ka thënë se po bën gjithçka për konstituimin e Kuvendit, në frymën e bashkëpunimit dhe kompromisit.

Pas takimeve me Kurtin dhe Krasniqin, presidentja Osmani po pret në takim liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, derisa do të takojë të mërkurën edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj./kosovapress

Read Previous

Lumir Abdixhiku takohet me presidenten Osmani

Read Next

Zakone të shëndetshme që duhet të nisni këtë verë dhe trupi juaj do t’ju falenderojë!