Paqja Ukrainë-Rusi

Bisedimet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohen në Stamboll, por pritshmëritë për rezultat mbeten të ulëta. Diplomati i lartë amerikan, Marco Rubio, u shpreh skeptik për ndonjë përparim të afërt, duke theksuar nevojën për një përfshirje direkte të liderëve të fuqishëm botërorë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Nuk mendoj se do të kemi një përparim këtu derisa Trumpi dhe Putini të bashkëveprojnë drejtpërdrejt mbi këtë temë”, tha Rubio pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në jug të Turqisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi pjesëmarrjen e delegacionit të tij në bisedime, ndërkohë që shprehu pakënaqësi për përbërjen e ekipit rus, duke e quajtur atë “të nivelit të ulët”. Nga ana tjetër, Moska pretendon se delegacioni i saj ka kapacitet të plotë për të negociuar, sipas ndihmësit presidencial rus, Vladimir Medinsky, i cili deklaroi se ekipi kishte “të gjitha kompetencat e nevojshme”.

Nga Lindja e Mesme, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, edhe Donald Trump e vuri në dyshim mundësinë e përparimit në këto bisedime pa një takim të drejtpërdrejtë mes tij dhe presidentit rus. Ai theksoi se vetëm një dialog i tillë mund të sjellë një zgjidhje reale.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Trump njofton marrëveshje 200 miliardë dollarëshe me Emiratet

Read Next

Kallas vjen në Prishtinë pas disa javësh