OVL-UÇK në Pejë shpall një nismë për pastrimin e listave të veteranëve “për ta ruajtur dinjitetin”

Dega e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Pejë ka shpallur një nismë për “përgatitjen dhe pastrimin e listave të luftëtarëve të UÇK-së” në këtë komunë.

Kjo nismë, u tha se po ndërmerret me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të qytetit, si nevojë “për të ruajtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës”.

“Me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të qytetit të Pejës, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,Dega në Pejë, shpall nismën për përgatitjen dhe pastrimin e listave të luftëtarëve të UÇK-së në Komunën e Pejës. Kjo iniciativë vjen si nevojë për të ruajtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare, për të respektuar sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për liri dhe për të ndarë me përgjegjësi e drejtësi emrin e shenjtë të luftëtarit të UÇK-së”, thuhet në njoftimin e degës së OVL-UÇK-së në Pejë.

“Ftojmë të gjithë bashkëluftëtarët, familjarët dhe strukturat lokale që të jenë pjesë e këtij angazhimi të përbashkët, për të ruajtur të pastër historinë dhe të shenjtë kontributin e secilit luftëtar të vërtetë. Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit! Nderim të gjithë luftëtarëve të lirisë!”, thuhet më tej në njoftim.

Rasti i njohur si “Veteranët”, që ka të bëjë me fryerjen e listave të veteranëve të luftës, është ende në proces gjyqësor që nga vitit 2018, kur Prokuroria Speciale kishte shpallur aktakuzën ndaj disa personave që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të Luftës./Express

Read Previous

Kosova konsumoi më shumë energji në prill 2025