Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka treguar përse situata në Ukrainë mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor,
Në një intervistë të dhënë për “Times Radio”, Osmani ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përdor metodat e presidentit të Rusisë, Vladmir Putin.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, luan sipas metodave të Putinit. Nëse shikoni veprimet destabilizuese që Serbia ka ndërmarrë në muajt e fundit ndaj Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, ndaj Kosovës si dhe ndaj shteteve tjera në rajon, tregojnë qartë se qëllimet e saj janë më të mëdha sesa vetëm zgjerim territorial. Këto janë qëllime hegjemonike”, ka thënë presidentja Osmani.
Osmani ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të shohë pozicionimin e Serbisë për konfliktin Rusi-Ukrainë.
“Oligarkët në këto shtete mund të ndryshojnë, por qëllimet karshi rajonit nuk ndryshojnë. Për fat të keq, në shumicën e rasteve, përfundojnë me vuajtje njerëzore e shkatërrim. Besoj se është shumë e rëndësishme për BE-në në veçantë që ta shoh se çfarë po flitet qartë nga Serbia, se ajo po anon nga Rusia, e jo nga vlerat e BE-së”, ka theksuar ajo.
Edhe ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e mban anën e Rusisë.
Kosnett ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian dhe ShBA ta kenë parasysh këtë qëndrim të tij.
Para dy ditësh, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paraqiti qëndrimin e Serbisë për situatën e krijuar në Ukrainë.
Vuçiq ka thënë se nuk është koha për të vendosur sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
/Kallxo.com/