Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj për të katërtin vit me radhë në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar që Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), t’i rritet buxheti në mënyrë që të përfshihen edhe shtesat për rrezikshmëri, ato për jashtë orarit të punës si dhe mëditjet për trajnim mbi një muaj.
Osmani deklaroi se armatimi ka kuptim vetëm kur ushtaraku që qëndron pas tij është i motivuar dhe i mbështetur.
“Jo rastësisht, në ushtri asnjëherë nuk flitet vetëm për rekrutim, por për konceptin e rekrutimit dhe ruajtjes së atyre që janë rekrutuar, në mënyrë që një ushtri të arrijë kapacitetet e plota operacionale”.
“Kam mbështetur vazhdimisht kërkesat që ushtarakëve tanë t’u mbulohen shtesat për rrezikshmëri, shtesat për punë jashtë orarit, mëditjet për trajnime që zgjasin mbi një muaj, si dhe programet e tjera mbështetëse, të cilat do të siguronin që njerëzit më të mirë dhe më të kualifikuar të vazhdojnë avancimin brenda FSK-së”.
“Armatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por ai merr kuptim vetëm kur pas armës qëndron një ushtarak i motivuar dhe i mbështetur”, deklaroi Osmani para deputetëve.
Ajo ka thënë se deputetët duhet ta bëjnë hapin e parë që sot, në mënyrë që të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve për ushtarët e FSK-së.
“Të nderuar deputetë, hapin e parë mund ta bëni që sot. Praktika e Kuvendit ju lejon të paraqisni amendamente edhe gjatë seancës. Shfrytëzojeni këtë mundësi për t’i propozuar shtimin e shumës së duhur buxhetit të FSK-së, në mënyrë që ushtarakët tanë të përfitojnë shtesat për rrezikshmëri, ato për punën jashtë orarit, si dhe mëditjet për trajnimet që zgjasin mbi një muaj”.
Osmani: Asnjë popull s’ia ka dalë vetëm, asnjë shtet s’ka përparuar në izolim
E para e shtetit ka vlerësuar se asnjëherë Presidenca e Kosovës nuk i ka pasur dyert më të hapura në shtetet e tjera, sesa gjatë mandatit të saj.
Sipas saj, asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka përparuar në izolim.
“Asnjëherë në historinë e presidencës pas shpalljes së pavarësisë, Presidenca e Republikës së Kosovës nuk i ka pasur dyert më të hapura sesa gjatë këtij mandati. Faktet flasin vetë: Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka përparuar në izolim”, tha presidentja.
Teksa, ka thënë se politika e jashtme ka adresuar interpretimet dhe veprimet dashakeqe nga Serbia lidhur me atë se çfarë është në të vërtetë dhe çfarë përfaqëson Kosova.
“Përgjigja ka qenë gjithmonë e njëjtë dhe e vetme: Kosova e lirë, e pavarur, sovrane dhe demokratike është një realitet i pakthyeshëm”.
Ajo ka thënë se është vetëm një nderë që udhëheqësit e shtetit mund të ia bëjnë Kosovës.
“Momenti kur mund të themi se vërtet ia kemi dalë është ai kur qytetarët tanë do të thonë: ‘Jemi krenarë për vendin tonë, për vlerat që ai përfaqëson, si dhe për mundësitë dhe gjithëpërfshirjen që ofron’, e jo për shkak të një personi apo një grupi politik”.
E para e shtetit potencoi se asnjëherë s’ka qenë më i rëndësishëm sesa tani patriotizmi kushtetues.
“I cili shkon përtej ndasive politike dhe kthehet te themeli i shtetësisë sonë. Është ky lloj patriotizmi që na bashkon, jo sepse gjithmonë ndajmë të njëjtat mendime, por sepse besojmë në një të ardhme të ndërtuar mbi vlerat dhe parimet që na lidhin, dhe për shkak se populli ynë gjithmonë ka ditur të bashkohet në mbrojtje të atdheut”.
Teksa ka vlerësuar punën e saj për ta ngritur pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Shteti ynë, edhe pse i ri, ka bërë hapa të rëndësishëm në skenën globale, të udhëhequr nga aleancat strategjike dhe një përkushtim i palëkundur ndaj të drejtave universale dhe parimeve demokratike”.
Teksa ka vlerësuar punën e saj për ta ngritur pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Shteti ynë, edhe pse i ri, ka bërë hapa të rëndësishëm në skenën globale, të udhëhequr nga aleancat strategjike dhe një përkushtim i palëkundur ndaj të drejtave universale dhe parimeve demokratike”.
E kjo sipas saj dëshmohet përmes marrëdhënieve që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), e me vende të tjera të Bashkimit Evropian”.
“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe me partnerët e tjerë në Evropë e përtej riafirmojnë rolin tonë si një forcë proaktive për paqen dhe zhvillimin, si në rajonin tonë, ashtu edhe më gjerë”.
“Për herë të parë, Kosova është ftuar në samite dhe organizata ku nuk është anëtare, siç ishte edhe Samiti i NATO-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Fjalimi i Osmanit, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës është bojkotuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kjo parti ka theksuar se arsyet e këtij qëndrimi janë dështimet e vazhdueshme të presidentes në përmbushjen e rolit dhe funksionit të saj kushtetues./Albanianpost.com