Osmani e Gjukanoviç: E ardhmja e vendeve tona është në BE

Presidenti malazez, Millo Gjukanoviç në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se e mbështet rrugën evropiane të Kosovës.

“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për të marrë statusin vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim fuqishëm këtë”, tha Gjukanoviç para gazetarëve në Podgoricë.

Sipas presidentes, Vjosa Osmani, Mali i Zi deri më tani ka treguar mbështetje të qartë për Kosovën në të gjitha fushat.

“Mali i Zi dhe Kosova janë shtete sovrane dhe qartësisht të përkushtuara në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë me synimin për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sonë të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo.

Ajo falënderoi presidentin malazez për mbështetjen e tij, duke shtuar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO i kontribuoi paqes në të gjithë rajonin.

Presidenti malazez, Millo Gjukanovç dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Ndërsa, sa i përket raporteve të ndërsjellta të cilat konsiderohen të rëndësishme dhe miqësore, ai u shpreh se ka “punë përpara që pakica malazeze në Kosovë të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës si komunitet zyrtar”.

Ai bëri të ditur se është duke ndjekur të gjitha negociatat me kujdes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të bindur se mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje – do të zgjidhej dukshëm çështja e stabilitetit e këtij rajoni”.

Lidhur me takimin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar edhe përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“E ardhmja e vendeve tona është në Bashkimin Evropian dhe së bashku do të punojmë për të realizuar këtë synim të qartë”, ka thënë Osmani.

Ajo shtoi se janë duke punuar që të forcojnë dhe të zgjerojnë bashkëpunimet me Malin e Zi në fusha të ndryshme.

“Me Presidentin Đukanović diskutuam për rëndësinë e koordinimit të përbashkët për ta forcuar partneritetin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe fuqizimin e përpjekjeve tona kundër tendencave anti-demokratike dhe destabilizuese në rajonin tonë”.

“Raportet në mes të vendeve tona janë të ndërtuara mbi frymën e respektit të ndërsjelltë, bashkëpunimit dhe përkushtimit të dyanshëm për të ardhmen tonë të euroatlantike”.

Qeveria e Malit të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Gjukanoviç e njohu Kosovën në tetor të vitit 2008, tetë muaj pas vendimit të Kosovës për ta shpallur pavarësinë.

Në ditën e dytë të vizitës, presidentja Osmani do të vizitojë komunat e Tuzit dhe Ulqinit, ku jetojnë kryesisht shqiptarët në Mal të Zi.

Në të njëjtën kohë, opozita e atëhershme malazeze, e udhëhequr nga lideri i Frontit Demokratik, Andrija Mandiç, protestoi duke kërkuar anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës. /Albanianpost.com

Read Previous

Shpallen datat për rifillimin e futbollit në Turqi

Read Next

Komisioni parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale viziton QKMP-në në Gjakovë