Të premten e javës që lamë pas, kryetari i SBASHK-ut në Gjakovë, kishte thënë se Ministria e Arsimit është dakord që nxënësit të kthehen fizikisht të gjithë në klasë.
Dhe ndodhi pikërisht kështu. Nga kjo e hënë nxënësit janë kthyer 100% në bankat shkollore pa u ndarë në grupe. Orët do të jenë të plota e jo nga 20 minuta. Mësimi tani e tutje do të jetë akoma më efektiv, kështu thotë mësimdhënësja Mimoza Naka në SHFMU “Emin Duraku”.
Një vendim i tillë është mirëpritur edhe nga drejtoresha e kësaj shkolle, Arjeta Hajdaraga. Ajo thotë se pavarësisht lehtësimit ne do të zbatojmë me përpikmëri masat të cilat shërbejnë për parandalimin e virusit Covid-19.
E më së shumti këtij vendimi i janë gëzuar nxënësit, të cilët tani e tutje do të jenë në shoqëri të gjithë nxënësve në klasë.
Nga ana tjetër, kryetari i task forcës në Qendrën për Arsim dhe Këshillim Profesional “Gjon Nikollë Kazazi”, Tom Frrokaj thotë se masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë tashmë kanë hyrë në fuqi dhe si të tilla po respektohen nga ana jonë.
Dhe njëherë bëjmë të ditur se duke ju referuar masave të fundit të miratuara nga Qeveria e Kosovës, procesi mësimor edukativ në institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor, zhvillohet me prani fizike, nën mbështetjen, monitorimit dhe mbikqyrjen aktive nga Task Forcat Komunale dhe Institucionale.