OEK i drejtohet ZRRE’së, i kërkon ta pezullojë vendimin për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se i është drejtuar me kërkesë publike Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për pezullimin e vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike nga 1 qershori, shkruan Reporteri.net.

OEK thotë se kjo kërkesë bazohet në shqetësimet e shumta të anëtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe në analizat që tregojnë se një hap i tillë në këtë periudhë do të kishte pasoja serioze për sektorin privat dhe ekonominë në përgjithësi.

“Sektori privat punëson mbi 330 mijë punëtorë, dhe dalja në treg në këto kushte mund t’i sjellë shumë biznese pranë falimentimit për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar çmimet aktuale të tregut të hapur.

Për pasojë edhe produkti vendor do të goditet rëndë. Prodhimi vendor do ta humbasë konkurrueshmërinë me produktet e importuara, duke rrezikuar edhe më shumë praninë tonë në tregjet e rajonit dhe ato evropiane, për shkak të rënies së kërkesës për produktet vendore si rezultat i rritjes së kostos së prodhimit që vjen nga shtrenjtimi i energjisë elektrike”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

Kërkesa mban datën e 8 majit.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kanë thënë se ideja e vendimit është që bizneset të kenë qasje në treg të liberalizuar të tarifave.

“Qëllimin e kemi që bizneseve në Kosovë me iu ofru me zgjedh një furnizues. Pse do të duhej me qenë një konsumator, me qenë i detyruar të merr shërbime prej një furnizuesi që është i ngarkuar me shërbim publik ose me ngarkesë të shërbimit universal, kur këta kanë mundësi me pa në ofertën e tregut të hapur nga furnizuesit e tjerë” – ka deklaruar Drejtori Menaxhues në ZRRE, Petrit Pepaj./Reporteri.net

Read Previous

Çfarë presin gjermanët nga Merz dhe cilat janë reagimet e para pas ardhjes së tij në pushtet?

Read Next

​LVV edhe sot insiston në votim të fshehtë