Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se brenda dy ditësh është marrë një aktgjykim i dytë nga gjykatat vendore që anulon njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike, raporton Gazeta Sinjali.
Në reagimin e saj, OEK vlerëson se ky vendim konfirmon shqetësimet e bizneseve lidhur me këtë proces, duke theksuar se: “Ky zhvillim tregon qartë se bizneset kanë pasur të drejtë kur kanë ngritur zërin ndaj padrejtësive të ZRrE-së.”.
Duke i bërë thirrje ndërmarrjeve të prekura që të kërkojnë të drejtat e tyre në mënyrë ligjore, OEK shton se ka vendosur në dispozicion një ekip të posaçëm ligjor: “Oda Ekonomike e Kosovës inkurajon të gjitha bizneset që ndihen të cenuara nga ky vendim që të ndjekin rrugën ligjore për të mbrojtur interesat e tyre. Çdokush që ka nevojë për asistencë, brenda Odës është themeluar një ekip juristësh që do të ndihmojë në draftimin e akteve kundër njoftimit të ZRrE-së.”.