Oda Ekonomike Amerikane kërkon urgjentisht ndërprerjen e procesit të liberalizimit të tregut

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të ndërpritet urgjentisht procesi i liberalizimit të tregut të energjisë derisa të përmbushen parakushtet thelbësore.

Vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor, nga ky institucion është thënë se paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet.

“Të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime”.

“Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve”, ka thënë Oda Ekonomike Amerikane.

Ndër të tjera ka kërkuar menaxhim me përgjegjësi, transparencë dhe me përgatitje nga të gjitha palët.

“Deklarimet e publikuara dje në mediat e Kosovës e që u atribuohen Bashkimit Evropian theksojnë qartazi këtë pikë: liberalizimi duhet të jetë gradual dhe i menaxhuar në një mënyrë që minimizon çrregullimet sociale dhe ekonomike”, përfundoi Oda Ekonomike Amerikane. /Albanianpost.com

Read Previous

Si pritet të jetë formacioni i Shqipërisë në ndeshjen ndaj Serbisë?

Read Next

Takimi me Osmanin, Haxhiu: Ishte një ide që t’i shpallim dy palë zgjedhje, të jashtëzakonshme dhe ato lokale