Objektivi ynë për 2030-n është që të jemi kampionët e Ballkanit në Turizëm. Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa zhvilloi një takim në Berlin me përfaqësues të operatorëve dhe agjencive të njohura turistike në Gjermani.
Rama specifikoi se kur thotë Ballkan nuk e ka fjalën për Greqinë dhe Kroacinë.
“Por duam shumë që të jemi kampionë dhe të tejkalojmë vende të tjera”.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit dakordësuan se Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer në tregun gjerman dhe treguan interes për atë çfarë mund të ofrojë turizmi shqiptar në të ardhmen,
“Shqipëria nuk ka vetëm plazhet apo bregdetin e bukur apo malet e jashtëzakonshme, por ka edhe mikpritje e mirëfilltë dhe atmosferën e ngrohtë brenda saj”, tha Rama.
Numri një i Qeverisë solli në vëmendje se si Shqipëria ia ka nisur nga zero, por tashmë ka më shumë se 260 destinacione agroturistike e po përmirësohen më tej.
“Aeroporti ynë është i pari në Evropë pas pandemisë që është ringritur me 123% vitin e kaluar”.
Për Ramën, të zhvillosh turizmin është një ambicie shumë, shumë e madhe dhe është po kështu edhe një sfidë e madhe sepse na duhet gjendur ekuilibri midis zhvillimit, mbrojtjes dhe konservimit.
Kryeministri me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman diskutoi mbi perspektivën e Shqipërisë në zhvillimin turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj.
Gjithashtu, ai gjatë vizitës së tij ishte i pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 mijë ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave ishte edhe stenda shqiptare.
Në datat 7-9 mars, përmes një programi të mirorganizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nën sloganin “Albania-All you need is here”, u promovuan ofertat turistike që synojnë turizmin gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm.
Shqipëria u përfaqësësua në këtë panair me stendën e saj zyrtare, ndërsa shumë shoqata dhe turoperatorë shqiptarë marrin pjesë po ashtu.
Gjatë vitit 2022, Shqipëria arriti rekordin historik prej 7.5 milionë vizitorësh të huaj dhe synimi i radhës është turizmi i nivelit të lartë në standarde, i qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. /Albanianpost.com