Me këto mesazhe vetëdijësuese, nxënës të shkollës së mesme të ulët “Mazllum Këpuska” kanë vendosur të shënojnë 16 Ditë të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Nxënësit po bëheshin gati për të marshuar rrugëve të qytetit, duke ngjyrosur fytyrën për të provuar kështu të jenë në lëkurën e atyre që përjetojnë dhunë, në baza ditore. Para nisjes, në oborrin e shkollës ishte realizuar edhe një memorial me këpucë, për viktimat e dhunës. Nxënësit u nisën nga shkolla drejt parkut të qytetit ku dhe ndaluan për të recituar dy poezi lidhur me këtë temë.
Kjo është një protestë paqësore thotë njëra nga vajzat teksa mes fjalëve mundohet t’u jap forcë grave që të jenë të guximshme.
Gjithë ky organizim është bërë me inciativën e mësimdhënëses Jeta Bakalli, e cila shtoi se ka për qëllim edukimin e brezave për tema që prekin shoqërinë.
I tërë ky aktivitet është mbështetur edhe nga aktiviste të zëshme kundër dhunës ndaj gruas, në komunën e Gjakovës.