Nuk ka dakordësi në BE për Ballkanin

Dështon miratimi i deklaratës që garanton të ardhmen e BP në BE

Bashkimi Europian, druhet se vendet anëtare nuk do të pajtohen për të dhënë garanci për anëtarësimin e ardhshëm në gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një frikë e tillë i është përcjellë agjencisë Reuters nga katër diplomatë europianë që kanë parë një dokument të brendshëm.

Liderët e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen më 6 tetor në një samit dhe diplomatët thonë se disa vende të bllokut nuk do të miratojnë deklaratën që garanton anëtarësimin në të ardhmen të gjashtë vendeve. Nëse diçka e tillë konfirmohet, ajo përkon me shpërthimin e tensionit në kufirin Kosovë-Serbi.

Në samit, BE -ja planifikon të përsërisë premtimin e bërë 18 vjet më parë për të dhënë “mbështetjen e saj të qartë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, sipas një projekt-deklarate të parë nga agjencia Reuters, që thekson se deri më tani janë zhvilluar dy raunde bisedimesh pa marrëveshje.

Ngërçi kësaj herë vjen nga vendet e pasura veriore si Danimarka, Franca dhe Holanda që kanë frikë nga përsëritja e pranimit të nxituar të Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe çështjes së keqmenaxhimit të migrimit të punëtorëve të Europës Lindore në Britani që ktheu shumë britanikë kundër BE-së.

Bullgaria është kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të një mosmarrëveshje gjuhësore.

Reuters nënvizon se BE-ja ka dështuar të krijojë një rreth aleatësh nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, tregti dhe ndihma. Në vend të BE-së, Kina dhe Rusia po sjellin investime në rajon dhe po ndikojnë politikën aty. Në janar, Serbia ishte vendi i parë europian që mori vaksina kineze kundër COVID-19 për vaksinimin masiv.

BE -ja gjithashtu po i përkeqëson në mënyrë indirekte tensionet në rajonin prej 20 milionë banorësh, thonë diplomatët, sepse qytetarët e Ballkanit ëndërronin të bashkoheshin me BE-në pas luftërave etnike të viteve 1990 pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Trupat e NATO-s rritën patrullimet në Kosovë të hënën pranë vendkalimeve kufitare me Serbinë të cilat janë bllokuar nga serbët lokalë të zemëruar nga ndalimi i makinave me targa serbe që të hyjnë në vend.

Ka një përkeqësim të gjendjes në Ballkan që vjen edhe nga humbja e interesit për rajonin nga kryeqytetet e BE-së,” tha një diplomat europian që merret me zhvillimet në Ballkan

BE dhe Shtetet e Bashkuara kanë apeluar për qetësi në lidhje me gjendjen e fundit të krijuar midis Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen filloi nga Shqipëria të martën një turne treditor në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim për të treguar angazhimin e ekzekutivit të BE-së ndaj rajonit./KlanNews.

Read Previous

Ndërron jetë në spitalin e Traumës Aldi Rama i cili vrau oficerin e policisë në Lezhë

Read Next

Presidentja e KE-së pritet në takim nga kryeministri Kurti