Kampionia olimpike, Nora Gjakova, është përzgjedhur në Komisionin e Sportistëve të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF).
Gjakova është bërë anëtare e Komisionit të Sportistëve të IJF-së me propozim të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në një letër që i është dërguar nga kryetari Marius Vizer.
Njoftimi është bërë edhe nga Federata e Xhudos së Kosovës, e cila ka zbuluar letrën e dërguar nga Vizer dhe ka uruar Norën për pozitën e re.
“Me krenari të madhe ju njoftojmë se Nora Gjakova është zgjedhur zyrtarisht anëtare e Komisionit të Sportistëve të IJF (Federata Ndërkombëtare e Xhudos)!”, thuhet fillimisht në njoftimin e Federatës së Xhudos së Kosovës.
“Pas një karriere të shkëlqyer si Kampione Olimpike, medaliste botërore dhe kampione evropiane, Nora tani do të japë kontributin e saj edhe jashtë tatamit, në një rol vendimtar për të ardhmen e sportit të xhudos”.
“IJF vlerëson lart eksperiencën, perspektivën dhe përkushtimin e saj, cilësi këto që do ta bëjnë Norën një përfaqësuese të jashtëzakonshme për xhudistët kudo në botë”.
“Urime, Nora! Ti jo vetëm që e ke ngritur flamurin e Kosovës në arenat më të mëdha, por tani po ndihmon edhe në formësimin e të ardhmes së xhudos për brezat që vijnë”.
“Jemi me ty dhe krenarë për ty, sot dhe gjithmonë!”, mbyllet njoftimi i Federatës së Xhudos së Kosovës.
Ndryshe, mandati i Nora Gjakovës ka nisur këtë të enjte dhe është i vlefshëm për katër vite. /Telegrafi/