Një muaj paraburgim ndaj të pandehurit i cili tentoi ta privojë nga jeta djalin e tij

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit L.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje në tentativë”, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Përmes një komunikate të lëshuar për media prokuroria njofton se, rasti ka ndodhur më 06 gusht 2021, në Komunën e Rahovecit, pikërisht në afërsi të shtëpisë së tyre të përbashkët, ku i pandehuri L.G., nën ndikimin e alkoolit , me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta djalin e tij, të dëmtuarin A.G. I njëjti, së pari kërkon që djali i tij të largohet nga shtëpia, e më pastaj e nxjerr armën nga brezi, duke shtënë dy herë në drejtim të tij, por nuk arrin ta qëllojë sepse i dëmtuari largohet me shpejtësi. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Po ashtu, i dyshuari me datë e kohë të njëjtë, përdor armën në kundërshtim me ligjin e Kosovës. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, e cila është aprovuar nga Gjykata kompetente.

Këtë lajm e ka bërë të ditur për televizionin Syri, zyrtarja për informim dhe monitorim të mediave Yllka Juniku Shehu.

Read Previous

Zjarr në Kukës, Kosova i vjen në ndihmë me forca të ushtrisë dhe zjarrfikëse

Read Next

​Xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, vlerësohen me dekoratën “Nder i Kombit” nga presidenti Meta