Një javë nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku

Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit të dielës së 24 shtatorit, rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë nga terroristët serbë ku si pasojë e gjuajtjeve mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Situata vazhdimisht ishte e tensionuar si pasojë e të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.

Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Nga ky sulm terrorist u bë e ditur se tre terroristë serbë janë vrarë, kurse dy terroristë dhe katër të tjerë të përfshirë në sulm i kanë arrestuar.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën e bërë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po vazhdon operacioni policor në veri, derisa ka shtuar se Policia e Kosovës mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in e EULEX-in.

Pas sulmit terrorist kundër policëve të Policisë së Kosovës, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka folur me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se SHBA-të duhet të përcaktojnë nëse Serbia ishte përgjegjëse për sulmin e së dielës në veri të Kosovës. Ai ka thënë se ky sulm ka qenë i koordinuar dhe sofistikuar.

Ai tha se SHBA-të nuk kishin arsye të dyshonin se armët dhe pajisjet e tjera të paraqitura nga policia e Kosovës në një konferencë për shtyp të hënën nuk ishin ato që u gjetën në vendin e ngjarjes.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist e mori nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.

Radojçiq në këtë letër pretendon se për “kthimin” në Kosovë nuk kanë qenë në dijeni as autoritetet në Qeverinë e Serbisë, dhe as strukturat lokale në veri të Kosovës, e as nuk ka marrë “ndonjë ndihmë” prej tyre.

Ai thotë se e bëri këtë për të nxitur popullin serb të ngrihet në kundërshtim të siç thotë ai “terrorit të Kurtit./Reporteri.net/

Read Previous

Apeli i ministres së Shëndetësisë: Përfitoni nga programi i mamografisë falas në të gjithë vendin

Read Next

Borrell: BE-ja dënon sulmin terrorist ndaj Ministrisë së Brendshme turke në Ankara