Nisin hetimet për rastin e artistëve kosovarë që u ndaluan në Shqipëri

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka njoftuar se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet lidhur me ndalimin e një grupi artistësh nga Kosova që u ndaluan nga Policia e Shtetit si të dyshuar për “trafikim të tritolit”.

Të hënën, anëtarët e shfaqjes “The Handke Project” u arrestuan në vendin ku bëhet pagesa e shfrytëzimit të “Rrugës së Kombit”. Rreth orës 00:30 patrullat e Policisë kanë qenë duke kontrolluar për gjoja kapjen e anëtarëve të grupit kriminal në kërkim.

Në një prej veturave të ndaluara ishin tre anëtarë të ekipit. Në sytë e pjesëtarëve të Policisë dolën më shumë se të dyshimtë. U shoqëruan dhe mbajtën në Kukës për tri orë e më pas në Tiranë deri në mëngjes. Dramaturgu Jeton Nerizaj ka thënë se janë duke e menduar që të mos e lënë me kaq krejt këtë çfarë ka ndodhur.

Por ministri Balla ka thënë se pretendimi i grupit nuk qëndron në tërësi. Ai thotë se grupi i artistëve nuk janë mbajtur me orë të tëra pikërisht sepse kanë statusin e aktorëve.

“Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP-ja ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet”, ka shkruar Balla në Facebook.

Balla ka shprehur keqardhje sepse “në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”. /RTK/

Read Previous

Gjyqtarja Kallaba kandidate për Kupën e Botës në futsall

Read Next

Mbretit Charles i prekur nga kanceri, Princi William merr përsipër detyrat e monarkut