Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë rritur më tej kontributin e tyre në misionet ndërkombëtare, duke nisur 30 trupa shqiptare (mes tyre një vajzë – ed.) në operacionin e Bashkimit Evropian, “ALTHEA” në Bosnjë-Hercegovinë.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, duke cituar njoftimin zyrtar për shtyp.
Një togë nga Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë i Forcës Tokësore do të jetë kontingjenti i parë në këtë operacion, ku vitet e fundit FA-të kanë kontribuar me oficerë shtabi.
Ky kontigjent do të shërbejë për rreth gjashtë muaj në Camp Butmir në Sarajevë.
Në ceremoninë e përcjelljes, morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ambasadori turk Tayyar Kağan Atay, i Ngarkuari me Punë i BE-së Andre Rizzo, dhe ushtarakë të lartë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Hasani vlerësoi se “ky angazhim nuk është thjesht një detyrë ushtarake, por një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar”.
“Pjesëmarrja jonë në këtë mision pasqyron vlerat që ne ndajmë me partnerët tanë: paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive”, theksoi kryediplomati shqiptar.
Sipas tij, gjatë viteve, Shqipëria ka ndërtuar një histori të suksesshme dhe të denjë në angazhimet ndërkombëtare, si një vend anëtar i NATO-s dhe një partner i besueshëm në kuadër të Bashkimit Evropian.
“Pjesëmarrja jonë në misionet e Bashkimit Evropian, si EUFOR ‘ALTHEA’ dhe ai në Mali, ka dëshmuar profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e Forcave tona të Armatosura. Ju, përmes përgatitjes dhe aftësive të tyre, keni fituar respektin e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ravijëzoi ministri shqiptar.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se Forcat e Armatosura kanë rritur ndjeshëm pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet ndërkombëtare, duke u rreshtuar me politikat e BE-së në kuadër të anëtarësimit në Union.
“Forcat e Armatosura arrijnë shifrën e 500 efektivëve të dislokuar në mënyrë permanente në misione jashtë vendit. Gra dhe burra, janë të angazhuar çdo ditë, në mbarë Evropën, në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Përmes këtij kontributi, Shqipëria, jo vetëm dëshmon se linjëzohet 100 për qind me politikën e jashtme të sigurisë së BE-së, por ky është një linjëzim me vepra”, garantoi titullari i institucionit.
Ai shtoi se Shqipëria po merr përgjegjësi shtesë, “e kuptojmë edhe më mirë se stabiliteti dhe paqja në rajonin tonë të munduar, është fryt i kompromiseve të vështira”.
Përfaqësuesi evropian Andre Rizzo vlerësoi rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së, duke e konsideruar vendin tonë si “një partner të rëndësishëm në mjedisin e sigurisë globale”. /Albanianpost.com