Ka nisur protesta e opozitës para Bashkisë Tiranë, ashtu sikurse ishte njoftuar.
Opozita këtë të martë të 7 majit është grumbulluar pranë Bashkisë së Tiranës për të protestuar në shenjë revolte të “korrupsionit që ka kapluar Bashkinë”.
Thirrja është e njëjtë, si edhe në protestat e kaluara: dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Deri më tani, në nisje të protestës, situata paraqitet e qetë, pa tensione dhe trazira.
Forca të shumta policie sakaq janë mbledhur para Bashkisë së Tiranës, ku janë stacionuar efektivë policie, por edhe oficerë të FNSH-së, me skafandra.
Ndërkohë, policia ka publikuar më herët edhe planin e masave të marra në kuadër të protestës.
Sipas planit të masave, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë bashkisë.
Ndërkaq, Policia u ka përsëritur thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune. /Albanianpost.com